Kompletohet Kosova, Bunjaki në “telashe” për formacionin

216

Komisioni për çështjen e statusit të lojtarëve në FIFA ka shqyrtuar sot dokumentacionin e gjashtë futbollistëve të Përfaqësueses së Kosovës, Samir Ujkanit, Milot Rashicës, Alban Mehës, Amir Rrahmanit, Herolind Shalës dhe Valon Berishës dhe për të gjithë këta ka marrë vendim pozitiv, duke u dhënë leje që të paraqiten në ndeshjen e sotme kundër Finlandës.

Këtij lajmi iu gëzuan jashtëzakonisht futbollistët në fjalë, të cilët gjatë tërë javës kanë qenë në stres, pasi dëshira e tyre për t’u paraqitur në këtë ndeshje historike është jashtëzakonisht e madhe.

Tashmë përzgjedhësi Albert Bunjaki i ka në dispozicion të gjithë futbollistët dhe së bashku me shtabin teknik i mbetet të vendosë për lojtarët që do të zbresin në fushën e gjelbër në këtë ndeshje historike.

Gjithsesi, konkurrenca tani është e madhe dhe Bunjaki do të jetë në “telashe” për 11 futbollistët startues, shkruan Gazeta Sheshi.

Natyrisht, konkurrenca më e madhe është në mesfushë, kur për një pozitë luftojnë disa futbollistë.

Formacioni i mundshëm i Kosovës

Portier: Samir Ujkani

Mbrojtja: Fanol Përdedaj, Amir Rrahmani, Alban Pnishi, Leart Paqarada.

Mesfusha: Milot Rashica, Enis Alushi, Alban Meha, Bersant Celina, Bernard Berisha.

Sulmi: Albert Bunjaku