Koha kur Mirlind Daku motivonte bashkëlojtarët te Gjilani (VIDEO)

Mirlind Daku vazhdon të mbetet njëri ndër emrat më të përfolur në afatin kalimtarë të verës, derisa në adresë të tij tashmë kanë arritur disa oferta për të ndërruar mjedis, vetëm një vit pas transferimit te skuadra kroate NK Osijek, shkruan Gazetasheshi.com.

Gazetasheshi.com raportoi gjatë ditës së sotme për dy ofertat e para që kanë arritur për reprezentuesin U21 të Kosovës.

Partizani nga Tirana dhe një klub tjetër nga kampionati elitar suedez janë në ‘pole position’ për të marrë shërbimet e sulmuesit gjilanas, derisa ofertat nuk mungojnë as nga Kosova.

Pikërisht, vendi ku e nisi karrierën Daku i ka dhënë një tjetër mundësi, teksa me të rinjtë U21 të Kosovës shfaqi dy paraqitjet briliante në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian të vitit 2021.

Sulmuesi shtatëgjatë realizoi dy gola në dy ndeshjet e para, me ç’rast arri ta mbajë Kosovën në krye të grupit, madje edhe para Anglisë.

E një video e rrallë vjen sërish nga Kosova, aty ku Daku edhe e nisi karrierën futbollistike, saktësisht nga Shkolla e Futbollit “SC Gjilani”.

Si kapiten i skuadrës Daku motivonte gjithmonë skuadrën para ndeshjes, duke dëshmuar ‘shpirtin’ e liderit që ka patur gjithmonë brenda vetës.

Ç’është e vërteta atij nuk iu ofrua asnjëherë mundësia për të luajtur për ekipin e parë të Gjilanit edhe pse klubi ‘kuqebardh’ vazhdimisht ka shprehur interesimin për ta rikthyer ‘margaritarin’ në gjirin e tyre.

/Gazeta Sheshi/