Kobe Bryant, 60 pikë dhe lamtumirë mes lotësh

Pas 20 vitesh karrierë Kobe Bryant i thotë lamtumirë basketbollit të luajtur. E bën në mënyrën më romantike dhe më klasike të mundshme në garën e fundit të sezonit të rregullt ndaj Utah Jazz në “Staple Center”, duke shënuar 60 pikë në suksesin 101-96 të Los Angles Lakers. Prezantimi i Magic Johnson dhe përshendetjet nëpërmjet videotransmetimeve të Shaq, Fisher, Durant, Wade, Nowitzki, Popovich, Garnett, Anthony, Curry, James, Gasol, Odom, Jackson e Jack Nicholson e bënë edhe më prekëse dhe emocionuese sfidën e fundit në NBa të Kobe-t. Lotë, kujtime të paharrueshme, buzeqëshje dhe trishtim. “Staple Center” shpërthen në ovacione.

Bryant ishte i aftë të shënonte 60 pikë në këtë ndeshje lamtumire. Pak rëndësi ka që iu desh të gjuante 50 herë drejt koshit në ndeshjen e fundit si profesionit. Askush më parë nuk ka patur një karrierë kaq të gjatë me me kaq sfida të zhvilluara sa Kobe Bryant. Në fund të takimit, vjen dhe përshendetja e fundit e legjendës së NBA:

“Do të jeni gjithmonë në zemrën time. Që i vogël kam qenë tifoz i Lakers, nuk mund të kërkoja më shumë. Është një ëndërr e bërë realitet. Jam shumë i qetë tani që po largohem. Kur të shkoj në shtrat do të falenderoj Zotin dhe do të kaloj më shumë kohë me familjen.”

Kobe Bryant e mbylli karrierën me 5 tituj kampion të NBA, sigurisht me Los Angeles Lakers, 2 medalje olimpike, dy herë është përzgjedhur lojtari më i mirë i finaleve dhe në një rast është shpallur më i miri i gjithë sezonit. 18 herë ka luajtur në All Star Game, katër herë është përzgjedhur më i miri në All Star dhe është pikëshënuesi i tretë më i mirë në histori me 33 643 pikë të realizuara. Para tij klasifikohen vetëm dy legjenda: Kareem Abdul-Jabbar (38.387) e Karl Malone (36.928), ndërsa ka lënë pas Michael Jordan (32.292) dhe Chamberlain (31.419).