Klubi i njohur ja sheh ‘hajrin’ futbollistit të Kosovës, përfiton ndihmë financiare nga UEFA

Ekipi suedez, Kalmar i ka parë hajrin futbollistit të Përfaqësuesës së Kosovës, Fidan Aliti.

Kjo nënkupton se klubi suedez me përfaqësimin e futbollistit shqiptar me Kosovën në eleminatoret e ‘Euro 2020’ si dhe në Ligën e Kombeve, ka përfituar mbështetje financiare nga UEFA, shkruan GazetaSheshi.

Nga mbështetja e UEFA’s janë 12 klube suedeze që do të përfitojnë rreth 833 mijë euro, kurse Kalmari do të përfitojë afër 30 mijë sosh.

Dhe përmes një postimi në rrjetin social ‘Twitter’ Kalmari e ka falënderuar Alitin.

Kjo për shkak se Aliti ishte lojtari i vetëm i Kalmarit që luajti në nivele ndërkombëtare.

“Ky është një lajm pozitiv për Kalmar FF në situatën financiare në të cilën jemi.

Të gjitha paratë janë të mirëseardhura dhe ndihemi krenarë që kemi lojtarë që luajnë në atë nivel.

Në të njëjtën kohë situata mbetet e rëndë dhe ne duhet të vazhdojmë të punojmë së bashku që të mos pësoje krizë financiare skuadra jonë”, tha Lucas Nilsson, menaxher i klubit.