Klube nga Kroacia dhe Turqia të interesuara për ta transferuar yllin e Ballkanit

Mungesa e Arbër Hoxhës i dha mundësi t’i tregonte cilësitë e tij te skuadra e Ballkanit, gjë të cilën ia doli ta bëjë në mënyrën më të mirë të mundshme.

Po flasim për futbollistin e talentuar të Ballkanit, Ermal Krasniqin, i cili shfaqi potencialin e tij nën drejtimin e Ismet Munishit në fazën e tretë të edicionit të kaluar.

Sulmuesi i krahut të majtë ishte zëvendësuesi i Arbër Hoxhës në formacionin bazë të Ballkanit në pjesën e fundit të edicionit që lamë pas.

Ndonëse “barra” ishte e madhe, Krasniqi me mjaft qetësi ia doli ta zëvendësojë Hoxhën, që edicionin e kaluar ishte ndër futbollistët më të mirë të skuadrës suharekase.

Futbollisti që ka luajtur më parë edhe te Llapi dhe Ferizaj, është paraqitur në nëntë ndeshje për Ballkanin në të gjitha garat edicionin e kaluar, duke realizuar pesë gola dhe duke dhuruar pesë asistime.

Pas paraqitjeve të mira me Ballkanin, për Krasniqin janë interesuar disa klube evropiane, por edhe në Kosovë si dhe në Shqipëri.

Menaxheri i Krasniqit, Kastriot Telaku në një intervistë me “Zerin”, ka thënë se interesimi vazhdon të jetë i madh për shërbimet e klientit të tij.

“Interesim nga shumë skuata ka pasur për Ermalin, konkretisht nga Turqia, Kroacia, asgjë konkrete deri më tani”, deklaroi Telaku.

Megjithatë, Telaku thotë se Krasniqi do të mbetet në Ballkan edhe për një edicion.

“Gjithashtu, ka pasur edhe klube të interesuara nga Shqipëria dhe Kosova, por Krasniqi do të jetë pjesë e Ballkanit edhe për një edicion”, tha Kastriot Telaku.

Përveç Blendi Baftiut, Arbër Hoxhës dhe Jetmir Topallit, edhe Ermal Krasniqi është një “kandidat potencial” për t’u larguar nga Kosova në drejtim të futbollit evropian.