Kjo është paga e lartë e futbollistit kosovar te Kukësi

Kukësi ka pasur një sezon me ulje-ngritje. Përtej krizës së rezultateve apo dëmtimeve masive, hera-herës ka pasur edhe konflikte me lojtarët. Rastet më të fundit i përkasin Donjet Shkodrës, Valon Ethemit dhe Arbër Çyrbjas. Pas dënimit, duhet thënë që rikthimi është shoqëruar me reflektim. Që të tre kanë dëshmuar cilësi në fushë dhe kanë filluar që të fitojnë “zemrën” e drejtuesve.

Shkodra Donjet

SHKODRA – Donjet Shkodra pati për gati dy javë përplasje me klubin, aq sa këta të fundit e degdisën tek ekipi B. Pas negociatave të vazhdueshme erdhi jo vetëm “paqja”, por edhe një marrëveshje e re. Palët ranë dakord që rroga e lojtarit të ulej nga 7000 mijë euro në muaj në 5500 euro dhe kohëzgjatja e kontratës është deri në muajin janar. Në fillim klubi e nxori jashtë planeve, por kjo jo për arsye sportive, por thjesht vetëm për anën financiare.

Por mbas rikthimit në ekipin e parë mesfushori po bind me performancën e tij dhe prej javësh po sakrifikon duke zëvendësuar Besar Musollin si mesfushor qendre. Edhe pse njihet si një lojtar që sheh nga sulmi, tashmë ka detyra mbrojtëse. Dhe i pari që ka vlerësuar në disa raste kosovarin është vetë presidenti Safet Gjici, i cili duket se ka ndryshuar mendim.

Ai e ka lavdëruar Shkodrën për lojën dhe sakrificën e bërë. Edhe drejtori Nexhipi dhe tekniku Cungu janë në të njëjtin mendim me kreun e klubit. Kështu që drejtuesit janë duke konfirmuar 28-vjeçarin nga Prishtina si liderin e mesfushës, e në kësi kushtesh me afrimin e janarit mund t’i ofrojnë rinovimin.

Donjet Shkodra

DILEMA – Kukësi ka një “mal” me dilema para transfertës me Luftëtarin, ndeshje prej së cilës pritet veçse fitorja. Hallet më të mëdha i takojnë Armando Cungut, i cili ende nuk ka vendosur për 11-shen. Kapiteni Ylli Shameti është në dyshim nëse do aktivizohet apo jo, pasi çdo gjë varet nga koha dhe mjekët e ekipit, pasi ata që do përcaktojnë nëse shtatlarti është gati apo jo të luajë nga minuta e parë.

Po nuk është i vetmi, pasi Simon Rrumbullaku mbetet në pikëpyetje. Mbrojtësi i majtë ka hyrë me grupin në stërvitje, por nuk dihet nëse do të jetë titullar. Sakaq, e sigurt është mungesa e Shafik Tigroudja, i cili është duke kryer ende terapi intensive. Lajmi i vetëm i mirë është rikthimi i Vangjel Zguros, i cili ka ezauruar pezullimin prej të verdhëve.