Kjo është lidhja që ka sekretarja e re e FIFA-s me Kosovën

177

Sekretarja e re e përgjithshme e FIFA-s, Fatma Samoura thotë se kishte kaluar vite duke punuar në zonat e luftës për Kombet e Bashkuara, duke u përgatitur për punën e saj të re.

Senegalezja 54 vjeçare e nisi punën e saj të re në shtëpinë e futbollit ndërkombëtar muajin e kaluar, ndërsa zbulon se në të kaluarën ka qenë e implikuar në situatat emergjente në shtete të ndryshme, përfshirë këtu edhe Kosovën.

“Unë i kam mbuluar pothuajse të gjitha situatat emergjente në botë, përfshirë këtu Afganistanin, Libinë, Sierra Leonen, Timorin Lindor, Kosovën dhe Nigerinë. Mendoj se 20 vjet punë më kanë përgatitur për këtë situatë komplikuese”, ka thënë ajo për “BBC World Service”.

Samoura është gruaja e parë që e merr pozitën e sekretarit gjeneral të FIFA-s. Ajo e ka zëvendësuar në këtë pozitë Jerome Valcke pasi francezi u suspendua 12 vjet nga të gjitha aktivitetet që lidhen me futboll.

Kosova u pranua më në fund në muajin maj të këtij viti në UEFA dhe FIFA, duke i dhënë fund izolimit shumëvjeçar.