Kjo është femra e parë që do të referojë një ndeshje të Superkupës së Evropës

Stephanie Frappart do të bëhet referja e parë që drejton një ndeshje të një gare të madhe të UEFA-s në konkurrencë të meshkujve.

Frappart do të drejtojë ndeshjen e Superkupës së Evropës mes Liverpoolit dhe Chelseat, që do të zhvillohet më 14 gusht në Stamboll, ka njoftuar UEFA të premten.

Frapppart 35-vjeçare është bërë referja e parë që ka drejtuar një ndeshje në Ligue 1 të Francës, në konkurrencë të meshkujve. Ajo drejtoi sfidën ndërmjet Amiensit dhe Strasbourgut në prill, ndërsa u bë edhe femra e parë që është futur në listën e referëve të Ligue 1 për stinorin e ardhshëm.

Frappart ka referuar finalen e Botërorit të femrave muajin e kaluar, në të cilën SHBA-ja triumfoi ndaj Holandës. Ndihmëset e saj në atë finale të Botërorit, Manuela Nicolosi dhe Michelle O’Neal do të jenë ndihmëse edhe në ndeshjen e Superkupës së Evropës.

“Potenciali për futbollin e femrave nuk ka limit dhe jam i lumtur që Stephanie Frappart është caktuar të referojë ndeshjen e Superkupës së UEFA-s këtë vit”, ka thënë presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin. “Shpresoj që shkathtësia dhe përkushtimi që kanë treguar Stephanie gjatë karrierës për të arritur këtë nivel do të jenë inspirim për miliona vajza nëpër Evropë dhe t’u tregojnë atyre se nuk duhet të ketë barriera për të arritur ëndrrën”.

Frappart, femra e parë që do të referojë një ndeshje të Superkupës së Evropës

Zvicerania Nicole Petignat ishte referja e parë që referoi një ndeshje të UEFA-s në konkurrencë të meshkujve, kur kishte referuar tri ndeshje të rrethit eliminator të Kupës UEFA nga viti 2004 deri më 2009.

Superkupa është ndeshje vjetore që luhet ndërmjet fituesit të Ligës së Kampionëve dhe atij të Ligës së Evropës. Liverpooli triumfoi në Ligën e Kampionëve duke e mposhtur në finale Tottenhamin, ndërsa Chelsea e fitoi Ligën e Evropës pasi në finale triumfoi ndaj Arsenalit.

“Stephanie ka dëshmuar gjatë viteve se është një nga referet më të mira, jo vetëm në Evropë, por edhe në botë. Ajo ka aftësi për të referuar në skenën më të madhe, siç ka dëshmuar edhe në finalen e Kupës së Botës të femrave. Shpresoj që kjo ndeshje në Stamboll t’i ofrojë asaj më tepër përvojë ndërsa po arrin kulmin në karrierën si refere”, ka thënë kreu i referëve pranë UEFA-s, Roberto Rosetti.