Kjo është arsyeja pse RTK-ja nuk e transmetoi Trepçën ’89, e do ta transmetoj Prishtinën

Shumë kritika për Radio Televizionin e Kosovës, e cila nuk mori përsipër transmetimin e ndeshje historike për skuadrën e Trepçës ’89, shkruan IndeksOnline.

Skuadra mitrovicas debutoi në Ligën e Kampionëve me humbje 2 me 1 nga klubi i Ishujve Faroe, Vikingur.

Por kritika më e madhe ishte te transmetimi i kësaj ndeshje, e cila u mundësua vetëm nga një faqe e futbollit në rrjetet sociale, madje edhe kjo ishte me pagesë.

Gazetari i sportit në RTK, Artan Muhaxhiri për “IndeksOnline” ka treguar arsyen pse ndeshja e 89-shit nuk u transmetua e pse do ta transmetojnë Prishtinën që luan nesër me ekipin suedez.

“Kryekëput varet nga klubi nikoqir. Ata në vend të shitjes të së drejtave kanë vendosur për “Pay Per View”, dmth ka qenë me abonues me pagesë, sepse ashtu e kanë parë interesin. Për më shumë mund ta kontaktoni klubin. Ndeshjen e kthimit të KF Trepça 89 shpresojmë ta transmetojmë. Nuk mund të garantojmë që edhe ndeshjen e kthimit të FC Prishtina do ta transmetojmë se nuk varet as nga Prishtina as nga RTK. Varet nga zoti i shtëpisë në këtë rast. Tendencat për me e klasifiku RTK-në duke e renditur me këtë apo atë klub janë joserioze dhe qasje primitive. Besoj se do te kuptohet realiteti herët a vonë. Ndërsa KF Prishtina, ka shprehur interesim për bashkëpunim, që është tejet pozitive e të njëjtën gjë e presim nga Trepça 89 në ndeshjen e kthimit”, ka thënë Muhaxhiri.

Ndeshja kthyese e kampionit të Superligës zhvillohet më 4 korrik në stadiumin “Adem Jashari” Mitrovicë.