Këta janë derbit e nxehtë lokalë të Superligës

620

Edicioni i ri i Superligës në futboll që nis më 20 gusht, pritet të jetë shumë interesant, me kampionin dhe fituesin e Kupës që përfundimisht do të dalin në arenën ndërkombëtare.

Por, jo vetëm me kaq. Këtë edicion do të zhvillohen tre derbi lokalë me skuadra të të njëjtit qytet.

Natyrisht, derbi më i zjarrtë është ai ndërmjet Gjilanit dhe Dritës. Pavarësisht cilësisë në fushë, atmosfera në tribuna është e jashtëzakonshme me “Skifterat” dhe “Intelektualët” që përkujdesen gjithnjë për hijeshinë e këtij derbi. Për dallim prej herëve të kaluara, këtë edicion dueli mes skuadrave të Gjilanit do të jetë edhe më interesant pas përforcimeve që kanë bërë ekipet, shkruan Gazeta Sheshi.

Derbi lokal është edhe ai ndërmjet skuadrave të Mitrovicës, Trepçës e Trepçës ‘89. Rikthimi i të parëve në Superligë me gjasë do t’i japë jetë futbollit mitrovicas. Për dallim nga derbi i Gjilanit, ky i Mitrovicës nuk shquhet për atmosferë të madhe në tribuna, pasi të dy klubet ndajnë tifozerinë e njëjtë, “Torcidën”, por rivaliteti në terren kalon limitet. Jo rastësisht, para dy edicionesh ballafaqimi ndërmjet këtyre dy ekipeve nuk gjeti fundin, pasi u ndërpre.

Interesant ka qenë dhe do të jetë edhe në ballafaqimin e ekipeve të kryeqytetit, Prishtinës e Hajvalisë. Ndonëse jo në nivelin e dy dueleve paraprake, sfida mes ekipeve nga kryeqendra gëzon një rivalitet të fshehur. Kujtojmë se dje u zhvillua një ndeshje kontrolluese mes këtyre dy ekipeve, derisa Prishtina përfundoi takimin me dy futbollistë të përjashtuar me karton të kuq. Rivalitet edhe në miqësore.