Këshilli Gjyqësor: Sulmi ndaj Gjykatës Themelore në Lipjan, veprim kriminal

90

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka dënuar sulmin ndaj Gjykatës Themelore në Lipjan, duke konsideruar se veprime të tilla ndaj institucioneve të drejtësisë janë të ulëta dhe kriminale. KGjK u ka bërë thirrje organeve përgjegjëse që të zbardhin rastin duke i zbuluar ata që e kryen këtë ngjarje, që siç e ka quajtur KGjK, veprim vandal.

Përmes një njoftimi për media, Këshilli Gjyqësor ka thënë se përmes hedhjes së molotovit në zyrat e Gjykatës Themelore-dega në Lipjan, po cenohen vlerat themelore mbi të cilat bazohet shteti i së drejtës.

“Këshilli Gjyqësori i Kosovës (KGjK) shpreh indinjatë të thellë për hedhjen me koktej molotovi në zyrat e Gjykatës Themelore – dega në Lipjan. KGJK dënon ashpër një akt të tillë duke e cilësuar si një veprim të ulët dhe kriminal ndaj institucioneve të drejtësisë përmes së cilit cenohen vlerat themelore mbi të cilat bazohet shteti i së drejtës. KGJK fton organet kompetente që të zbardhin akterët e këtij akti vandal, dhe njëherit zotohet në jetësimin e misionit të institucioneve gjyqësore për të siguruar rend dhe ligj në Republikën e Kosovës”, thuhet në reagimin e KGjK-së.

Mbrëmë para mesnatës, persona të panjohur kanë hedhur koktej molotovi në objektin e Gjykatës Themelore në Lipjan./KosovaPress/.