Katari i thurr lavde Kombëtares shqiptare

82

Pas zyrtarizimit të miqësores me Katarin më 29 Maj nga Federata Shqiptare e Futbollit, ka konfirmimi erdhi edhe nga federata e shtetit të vogël në Gjirin Persik.

Në lajmin e publikuar në faqen zyrtare të Federatës së Katarit nuk munguan lavderimet për Kombëtaren shqiptare. Sipas zyrtarëve të QFA-së, përballja me kuqezinjtë në Austri do të zhvillohet në kuadër të politikës që po ndiqet për realizimin e miqësoreve kundër skuadrave që klasifikohen në 50 vendet e para të renditjes botërore të FIFA-s.

Një zyrtar i federatës që do të organizojë Botërorin 2022, theksoi se, “Katari ka vendosur prej vitit të kaluar të luajë vetëm me skuadra elitare”. Sipas tij “përballjet e ardhshme do ti krijojnë mundësinë ekipit të trajnerit Carreno të testohen përballë disa prej përfaqësueseve më të mira në botë”.

Prej vitit të kaluar, Katari ka zhvilluar ndeshje me skuadra si Algjeria, Sllovenia, Irlanda, Skocia, Turqia dhe tashmë do të ketë përballë Shqipërinë, që momentalisht pozicionohet e 36-ta në renditjen botërore.

Në njoftimin e Federatës së Katarit theksohej se, përfaqësuesja e Gianni De Biasit do të luajë në finalet e Euro 2016, ndërsa Shqipëria etiketohej si një ekip i uritur dhe që luan fort në fushë, cilësi falë të cilave kuqezinjtë fituan me Francën dhe Portugalinë gjatë kualifikueseve.

Përballja e 29 majit në Kapfenberg të Austrisë do të jetë përballja e dytë historike e Shqipërisë me Katarin, pas fitores 2-1 në Madrid në vitin 2012. Prej asaj periudhe ekipi nga Lindja e Mesme është përmirësuar dukshëm: ata pozicionohen të 78-ta në renditjen e FIFA-s, ndërsa kryesojnë Grupin A të kualifikueseve të Botërorit 2018 në Zonën Aziatike, me 6 fitore në po kaq ndeshje të luajtura. /albeu.com/