Kastrati fton kapitenët e Superligës t’i bashkohen nismës për ta shtyrë kampionatin!

Ylber Kastrati, kapiten i SC Gjilanit, përmes një publikimi në llogarinë e tij ka bërë thirrje për t’i ndalur ndeshjet futbollistike, shkruan Gazetasheshi.com.

Ai në publikimin e tij ka shkruar se është më me rëndësi të parandalohet epidemia e coronavirusit se të trajtohet më pas.

Ai ka ftuar të gjithë për të qëndruar në shtëpi dhe të kenë kujdes.

“Parandalimi është më i mirë se trajtimi. Andaj është mirë që t’i marrim masat e nevojshme për ta parandaluar epideminë e coronavirusit që ka filluar të shpërndahet edhe te ne në Kosovë, duke ndërprerë kampionatin, pasi që shëndeti është më i rëndësishëm se gjithçka tjetër.

Ta ruajmë qetësinë dhe të jemi të kujdesshëm. Ti lutemi krijuesit tonë që ta kalojmë këtë sfidë në mënyrë të bashkuar.

Me moton #rrinshpi si kapiten i SC Gjilanit i bashkohem kësaj iniciative dhe bëj apel tek të gjithë kapitenët dhe organet kompetente ti bashkohen kësaj nisme”, ka shkruar Kastrati.

Përveç Kastratit edhe shumë futbollistë e trajnerë në vendin tonë kanë kërkuar që të shtyhet kampionati.

/Gazeta Sheshi/