Kastrati flet për atmosferën te Gjilani dhe objektivin përpara ndeshjes me Drenicën

Gjilanin të shtunën e pret një sfidë e vështirë derisa përballë do të ketë skuadrën e Drenicës, shkruan Gazetasheshi.com.

Ekipi i Gentjan Mezanit do ta vizitojë njërin ndër terenet më të nxehta në Kosovë, pasi që do të luajnë në “Bajram Aliu” të Skenderajt.

Por, kapiteni i skuadrës Ylber Kastrati është shprehur optimist përpara sfidës së nesërme.

“Skuadra e Gjilanit në çdo ndeshje futet për të dhënë maksimumin, e në bazë të performancës që vije si rezultat i maksimumit në fushën e blertë, pritshmëritë kuptohet janë të mëdha”, deklaroi Kastrati për faqen zyrtare të klubit.

Më tej në fjalën e tij Kastrati foli edhe për atmosferën që po mbretëron në kampin “kuqebardh”.

“Vërtet një ecuri e mirë momentale, baza e gjithë kësaj është atmosfera e mirë brenda grupit të futbollistëve, e që po na mundëson ta përçojmë edhe në fushën e blertë. Gjithashtu në skuadrën e Gjilanit profesionalizmi është në nivelin e duhur dhe neve nuk na lejon të kënaqemi me disa rezultate pozitive, kësisoj me këmbë në tokë ne po i marim ndeshjet një nga një, duke respektuar çdo kundërshtar dhe duke u bazuar në forcat tona”, shtoi tutje Ylber Kastrati.

Dueli ndërmjet Drenicës dhe Gjilanit zhvillohet në “Bajram Aliu” të Skenderajt dhe fillon nga ora 16:00.

/Gazeta Sheshi/