Kapiteni i Dritës zbulon të vërtetën e formës jo të mirë në vjeshtë

Drita nga Gjilani zhgënjeu në pjesën e vjeshtore të Vala Superligës së Kosovës.

Klubi nga Gjilani nuk arriti me shumë se 14 pikë për 17 ndeshje të zhvilluara dhe renditet në pozitë të palakmueshme përkatësisht në vend të dhjetë.

Portieri me përvojë i Dritës, Artan Latifi, ka treguar shkaqet që e çuan ekipin e tij në pjesën e poshtme të klasifikimit. “Drita ka pasur ndërrim të kryesisë, ku edhe ka pasur shumë vonesa në organizim të klubit, mirëpo në aspekt të organizimit është shumë në nivel të lartë”, tha Latifi për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Portieri është i vetëdijshëm se pranvera do të jetë shumë e nxehtë jo vetëm për skuadrën e tij në luftë për ta siguruar mbijetesën në elitën e futbollit. Sipas Latifit, Dritës i duhen disa përforcime: “Si çdo skuadër edhe Drita ka nevojë për përforcime,  mirëpo në këtë miniafat kalimtar dihet se paksa është edhe e vështirë me realizuar ato çka i dëshiron, sepse dihet që lojtarët janë nën kontrata dhe nuk kanë të drejtë që të ndërrojnë klub pa lejen e klubeve ku luajnë”.

Megjithatë, ai beson se do t’i realizojnë objektivat.