Kaos, skandale dhe zemërim në prag të zgjedhjeve presidenciale te Barcelona

155

Pak njerëz do ta kenë zili njeriun e zgjedhur për të qenë presidenti i ri i FC Barcelonës, ka shkruar të mërkurën CNN-ja. Zgjedhjet e ardhshme – që do të mbahen të dielën, vetëm disa ditë pasi katër zyrtarë të lartë u arrestuan – janë pa dyshim më të rëndësishmet në historinë e klubit dhe vijnë në një kohë krize që duket se po thellohet çdo ditë. Borxhet historike, të raportuara nga gazeta spanjolle “El Mundo”, që mund të jenë më shumë se një miliard dollarë, e detyruan Barcelonën të bëjë disa prej shitjeve të figurave më të rëndësishme të ekipit në afatin kalimtar të verës.

Rindërtimi i skuadrës nuk ka dhënë rezultat deri më tani dhe goditja e fundit e rëndë për Barcelonën është humbja e thellë 4:1 nga Paris Saint-Germaini, është një nga shumë dhimbjet e kokës me të cilat përballet presidenti i ardhshëm i klubit.

Sidoqoftë, kryesori i listës së presidentit të ri është Lionel Messi. Saktësisht, e ardhmja e tij. Sulmuesi argjentinas bëri publike dëshirën e tij për t’u larguar nga Barcelona verën e kaluar dhe duket gjithnjë e më shumë e vështirë se ai do të nënshkruajë një kontratë të re, që do të thotë se lojtari më i mirë në historinë e klubit mund të largohet falas në fund të sezonit aktual.

“Barcelona ka shumë, shumë miliona borxhe dhe kjo është situata më e keqe financiare në histori të klubit. Në fushë, ne mund ta diskutojmë atë, por duket qartë se kur mbërrin Ligën e Kampionëve, Barcelona përsëri bën një vetëvrasje publike para miliona njerëzve, duke marrë kaq shumë gola dhe duke e bërë kaq të vështirë punën edhe për lojtarë si Messi që e duan klubin dhe ndoshta do të dëshironte të qëndronte në Barcelonë në rrethana të ndryshme”, ka thënë gazetari Ernest Macia.

“Në këtë pikë nuk është e lehtë të shohësh Messin te Barcelona vitin e ardhshëm, megjithëse ka shumë, mundësi të ndryshme që ndërhyjnë në këtë ekuacion. Pra, ne do të shohim se çfarë do të ndodhë në fund, sepse zgjedhjet do të zhvillohen këtë fundjavë dhe kjo është një tjetër mundësi në këtë ekuacion, kush bëhet president”.

Në muajin shkurt, Barcelona lëshoi ​​një deklaratë në të cilën “kategorikisht” mohoi përgjegjësinë për botimin e kontratës së Messit prej 672 milionë dollarësh në gazetën “El Mundo”.

Kontrata do ta bënte Messin sportistin më të paguar në historinë e sporteve dhe klubi tha se do të merrte masa ligjore kundër gazetës “për çdo dëm që mund të shkaktohet si rezultat i këtij botimi”.

Rrjedhja e kontratës shërbeu vetëm për të rritur tensionet midis Messit dhe hierarkisë së Barcelonës, të cilat tashmë ishin shtrirë deri në pikën e thyer pasi argjentinasi synoi largimin pas lamtumirës emocionale që i dha ish-shokut të tij, Luis Suarez, që iu bashkua Atletico Madridit.

Problemet financiare të Barcelonës janë përkeqësuar dhe klubi tashmë është kthyer kah promovimi i lojtarëve nga akademia e famshme “La Masia” – e cila ka zhvilluar Messin, Pep Guardiolan, Andres Iniestan dhe Xavin – në ekipin e parë, në vend që të bëjë shpenzime në transferime të mëdha dhe pagat e majme të yjeve që tashmë i ka.

Barcelona thuhet se ka shpenzuar më shumë se një miliard dollarë në tarifat e transferimit që nga sezoni 2013/14 dhe shumë besojnë se ky ndryshim është që të ndiqet filozofia e klubit “Më shumë se një klub”, e cila është ende e shtypur në ulëset e stadiumit “Camp Nou”.

Edhe me Messin, e ardhmja e Barcelonës duket e zymtë; pa të, gjithsesi, gjërat fillojnë të duken të tmerrshme. Pikërisht, në këtë premisë po mbështetet fuqishëm njëri prej kandidatëve për president të klubit. Joan Laporta, një nga tre kandidatët, është favoriti aktual për t’i fituar zgjedhjet dhe ai ishte më parë president i Barcelonës (2003-2010), duke udhëhequr një nga epokat më të suksesshme në historinë e klubit.

Gjatë kohës së Laportas, Barcelona fitoi 13 trofe të rëndësishëm, përfshirë katër tituj në La Liga dhe dy trofe të Ligës së Kampionëve, dhe ai do të shpresojë që nostalgjia dhe vullneti i mirë bankar të jenë thelbësore për sigurimin e një mandati tjetër.

“Joan Laporta është, le të themi, më afër Leo Messit dhe lojtarëve, sepse ata jetuan së bashku momentet më të mira në historitë e tyre dhe jetën e tyre. Sipas sondazheve tani, Joan Laporta është i pari. Ka pasur debate dhe gjithçka mund të ndodhë, sepse shumë njerëz kanë votuar përmes postës dhe mbetet për t’u parë se çfarë ndikimi do të kenë këto vota, për herë të parë në histori”, thotë Macia.

Madje, Laporta i ka paralajmëruar të gjithë se Messi do të largohet nga Barcelona nëse ai nuk zgjidhet president i klubit. Ai ka premtuar se do të bëjë të pamundurën për ta mbajtur Messin në klub.

“Kam marrëdhënie të shkëlqyer me Messin dhe ai do ta marrë parasysh çfarëdo propozimi që do t’i bëjë. Nëse nuk fitoj, jam i bindur se Leo nuk do të qëndrojë te Barcelona pas përfundimit të këtij sezoni. Po ashtu, me bindje të plotë e them se nëse njëri prej kandidatëve të tjerë e fiton garën, Messi do të largohet nga Barcelona”, ishte paralajmërimi i Laportas në një debat televiziv përballë dy kandidatëve të tjerë, Toni Freixa e Victor Font.

Sipas gazetarit Macia, Laporta do të përfitojë përfundimisht edhe nga ndarja e votave ndërmjet Fontit dhe Freixas. Megjithatë, Font së fundi ka marrë mbështetjen e ish-kapitenit të Barcelonës, Carles Puyol, dhe ka insistuar se ideja e tij është për ta kthyer Xavin në postin e trajnerit nëse i fiton zgjedhjet. Në anën tjetër, Freixa i ka dhënë mbështetjen e tij trajnerit aktual, Ronald Koeman, për ta vazhduar punën që e mori verën e kaluar, por gjithashtu ka bërë të ditur se në planin e tij afatgjatë e ka Xavin, të cilin fillimisht do ta emëronte në krye të Barcelonës B. Zgjedhja e presidentit të ri të Barcelonës, do të vendoset me votat e më shumë se 100 mijë anëtarëve të klubit, shumica e të cilëve janë tifozë të Barcelonës. Për shkak të pandemisë së koronavirusit, 22.881 anëtarë kanë kërkuar të votojnë me postë derisa 87.479 të tjerët do të votojnë personalisht në një nga gjashtë stacionet e vendosura në qytetet: Barcelona, Girona, Lleida, Tarragona, Tortosa e Andorra.