Kampioni lëshon Kosovën

262

Skuadra e futbollit Feronikeli, nesër do të marrë rrugë për në Ohër, atje ku edhe do ta zhvillojnë fazën e dytë të përgatitjeve.

Ekipi nga Drenasi në krye me trajnerin Afrim Tovërlani, fazën e parë të ushtrimeve të paradites e kanë kryer në fitnes, derisa atë të pasdites në stadiumin “Rexhep Rexhepi”.

Mirëpo, “Nikli” do të udhëtojë në Ohër, që t’i “mbushë bateritë” që në edicionin e ri të luftojnë për ta mbrojtur sërish titullin e kampionit. Nisja për në Ohër bëhet nesër, kurse ekipi do të qëndrojë atje 10 ditë.

Feronikeli është ekipi i parë i Superligës që shkon në përgatitje jashtë vendit para fillimit të edicionit 2016/17, ndonëse këtë pritet ta bëjnë edhe skuadra tjera.

Gjithsesi, duhet përmendur se për ekipin nga Drenasi kampionati fillon më 13 gusht (një javë më herët), pasi luan ndeshjen e Superkupës me Prishtinën.