Joe Biden në Kosovë: Luftoni korrupsionin

Pas Beogradit, zëvendëspresidenti Amerikan Joe Biden, udhëtoi drejt Kosovës në kuadër të një vizite dy ditore në rajon për të nxitur vendet drejt rrugës së duhur të integrimit europian.

Duke theksuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleatët më të mirë të Kosovës, Biden tha se Prishtina duhet të miratojë demarkacionin dhe asociacionin e komunave serbe.

“E dimë që është dashur të shtyhen disa reforma, por janë vendimet e zorshme që sjellin fryte. E dimë që dhimbjet e luftës janë ende të freskëta por e vetmja mënyrë për Kosovën është një e ardhme e përbashkët. Themelimi i Komunave Serbe është i domosdoshëm për arsyen se këto janë thelbësore për avancimin e Kosovës e Serbisë”, tha Biden.

Po ashtu, Hashim Thaçi siguroi se marrëveshja kufitare me Malin e zi dhe krijimi i komunave me shumice serbe, do te mbyllet shpejt.

“Pa kalimin e demarkacionit me Malin e Zi dhe pa formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe sipas kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, vendi do të mbetet i vetmuar dhe i izoluar nga bota. Ne nuk mund të kërkojmë ndihmë dhe përkrahje nga askush kur nuk i kryejmë detyrat tona”, u shpreh Thaçi.

Zëvendëspresidenti Biden foli qartë se korrupsioni duhet luftuar.

“Korrupsioni është kancer dhe nëse nuk e trajtoni atë, atëherë mundësia që Kosova të ecë përpara nuk është e mundur. Shpresoj të kemi një Kosovë të fortë, demokratike dhe si anëtare të plotë të BE-së, por pa korrupsion”, tha Biden.

Presidenti Thaçi nuk la pa përmendur sfidën globale të terrorizmit, ku ofroi ndihmën e pakursyer të Kosovës për këtë kauzë. Ai dha një shembull konkret sesi komunitet fetare jetojnë në harmoni me njëra-tjetrën, në rrugën, e cila tani mban emrin e djalit të ndjerë të Joe Biden.

“Në Ferizaj, xhamia, kisha katolike dhe ortodokse, në harmoni me njëra tjetrën ndajnë një oborr”, tha Thaçi.

Ndërsa zëvendëspresidenti amerikan foli me nostalgji për Kosovën, për të cilën tha se jo vetëm Uashingtoni ka një lidhje të veçantë me të, por ai vetë dhe gjithë familja e tij.