Jeta ndryshe e Mavrajt, miqësia me boksierin, lotët në Euro 2016 dhe zemra e madhe prej bamirësi

119

Mërgim Mavraj është padyshim një nga personazhet më të veçantë të përfaqësueses shqiptare të futbollit.

Mbrojtësi kuqezi ka zbuluar për “express.de” jetën e tij larg fushave të lojës, ku ka krijuar një miqësi të paparashikuar me një boksier profesionist.

Mavraj shoqërohet shpesh me Kumpel Maurice Weber, boksierin gjerman 35 vjeçar, me të cilin u njoh që dy vite më parë, kur mbërriti në Koln. “Është shumë më i madh se sa mund të mendosh”, shprehet me humor Mavraj për mikun e tij

“Nga boksierët mund të mësosh shumë”, vijon ai. “Pasi ata janë shumë të përqendruar. E përjeton momentin e duelit vetëm pak herë gjatë vitit. Një situatë e tillë mund të krahasohet vetëm me ndeshjen e parë si futbollist profesionist”.

mavraj 2

Të dy janë pyetur se si e përjetojnë humbjen dhe ndërsa boksieri ka treguar se ka mbetur pa gjumë për shumë muaj, Mavraj ka pranuar se ka qenë gati në lot në një rast, gjatë Euro 2016. “Ishte ndeshja e parë, gati fillova të qaj në Evropian pas takimit me Zvicrën. Pësuam gol që në minutat e parë dhe pastaj një karton të kuq. Pastaj luftuam aq shumë dhe në fund nuk u shpërblyem”, thotë mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare.

mavraj

Futbollisti duket i përkushtuar që të ndihmojë njerëzit në nevojë, apo ata që nuk kanë qenë aq fatlum sa lojtarët të cilët kanë një karrierë të konsoliduar. “Nëse del në publik si futbollist, ke detyrimin që të bësh diçka”, thotë Mavraj, i cili viziton dy herë në javë qendrën e refugjatëve në Koln.

Ai mbështet financiarisht dy organizata bamirësie, ndërsa ka hapur edhe vetë një të tillë. “Në vendin tim nuk ke asnjë të ardhme në shoqëri nëse je i varfër. Ne mbështetim 40 familje në kryeqytet. Prej katër muajsh unë kam hapur vetë një organizatë dhe po përpiqem ta zgjeroj. Unë kam lindur në Gjermani, nuk më mungonte asgjë. Ndaj e ndjej si detyrim”, tha mbrojtësi shqiptar.

mavraj