Jashanica dyshohet nga UEFA: Jam i pastër

282

“Paraqitje jashtëzakonisht e dyshimtë në mbrojtje nga Skënderbeu, sidomos nga Bajram Jashanica”. Kjo është një nga frazat që përdoret në raportin e UEFA-s për ndeshjen e fazës në grupe të Ligës së Europës, Skënderbeu-Lokomotivë Moska 0-3, e zhvilluar më 10.12.2015 në stadiumin “Elbasan Arena”.

moscow-russia-1st-oct-2015-skenderbeus-bajram-jashanica-l-and-lokomotivs-F38CYH

Institucioni i futbollit europian akuzon pikërisht mbrojtësin kosovar, teksa thekson se ka bërë një paraqitje dyshuese. Mirëpo, kjo hidhet poshtë kategorikisht nga vetë lojtari. Dje “Panorama Sport” ka kontaktuar me Jashanicën, i cili ka deklaruar ndër të tjera se ai personalisht dhe i gjithë ekipi ka luajtur ndershmërisht në çdo ndeshje.

“Të them të drejtën nuk jam ndier aspak mirë kur kam lexuar sot (dje) se emri im ishte i listuar në dosjen e UEFA-s. Ajo histori tashmë është mbyllur dhe Skënderbeu ka marrë dënimin, që për të gjithë ne ka qenë i padrejtë. Por, pavarësisht kësaj, klubi e ka shlyer atë dënim. Mund të them se janë të gjitha akuza të pabaza dhe që prishin imazhin tim.

jashanica skenderbeu

Jam i bindur tek aftësitë e mia dhe në ndershmërinë që kam. Gjithçka që është përdorur për emrin tim, është akuzë e ulët. Unë kam luajtur dhe do të vazhdoj të luaj pastër në çdo takim që do të jem në fushë. Jam i qetë dhe nuk dua të përlyhem në të tilla akuza. E ritheksoj që jam krejtësisht i pastër dhe gjithmonë, jo vetëm unë, por edhe ekipi, kemi luajtur ndershmërisht në çdo ndeshje. Do të vijoj të bëj një gjë të tillë, deri sa të mbyll karrierën”, ka thënë fillimisht Jashanica.

Humbja me rusët

Sa i përket ndeshjes kundër Lokomotivës së Moskës, mbrojtësi e ka cilësuar normale sjelljen e tij, teksa bën të ditur se kur një futbollist pëson gol, natyrisht demoralizohet. “Kundër skuadrës ruse kemi luajtur me ndershmëri. Kishim përpara një ekip të fortë dhe është normale që kur pëson gol, bie moralisht.

Nuk besoj se ka diçka për të shpjeguar nga ai takim. Akuzat që janë bërë karshi meje, janë thjesht të hedhura në erë, pa asnjë bazë dhe pa asnjë argument. As jam pyetur kurrë për një gjë të tillë, madje as jam njoftuar nga klubi apo UEFA”, përfundoi Bajram Jashanica.