Janë hapur mundësi për punësim legal të kosovarëve në Gjermani

105

Në tri komuna të Kosovës: Gjakovë, Ferizaj dhe Vushtrri do të fillojë pilot-projekti për angazhim të 100 punëkërkuesve në punë praktike nëpër biznese të ndryshme.

Kjo do të bëhet përmes marrëveshjes në mes të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Organizatës Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar, GIZ. Ministri Arban Abrashi duke folur për RadioKosovën tha se ky pilot projekt do të zgjerohet dhe në komuna të tjera.

“Bëhu edhe ti pjesë e programit të Praktikës në Punë” është motoja e pilot-projektit ku përmes praktikës në punë do të arrihet të ju mundësohet të rinjve t’i shkëmbejnë përvojat e tyre punuese në biznese të ndryshme, duke filluar kështu me tri komuna, atë të Gjakovës, Ferizajt dhe Vushtrrisë.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Arban Abrashi tha se do të hartojnë kërkesat e biznese ndërsa përzgjedhja e praktikantëve do të bëhet përmes kërkesave të bizneseve se për çfarë kanë nevojë.

“Ne kemi filluar me një numër prej 100 prej të cilëve ne si ministri GIZ-i dhe punëmarrësi d.m.th bizneset do të bëjnë pagesën për këta në mënyrë që ata të tregojnë vetën edhe në praktik, pra ideja është që ata çka e mësojnë në teori ta bëjnë në praktik. Ne jemi tani duke e testuar modelin sesa janë të gatshme bizneset në Kosovë që të marrin praktikant të cilët do t’i paguajmë ne dhe 30 për qind ata. Në Ferizaj binzeset kanë kërkuar më shumë se 300 praktikant, kjo është shumë e mirë por ne kemi fonde të limituara që të fillojmë me 100”, tha ministri.

Abrashi paralajmëron se dhe komunat do ti rrisin fondet sepse kërkesat e bizneseve për punëkërkues janë të mëdha.

“Nuk ka kufizime se në cilët sektorë. Të gjithë sektorët janë të përfshirë, por ne si ministri, bazuar në një hulumtim të vitit të kaluar, ku i kemi orientua të gjitha projekt tona të punësimit, janë pesë sektor të cilët kanë mundësi të hatashme të zhvillimit është industria e drurit, e metalit, tekstilit, përpunimi i produkteve ushqimore, dhe teknologjia informative . Kjo është sfida më e madhe e biznese, këto industri që i përmenda e sidomos IT ballafaqohen me mungesë të punëtorëve të shkathët, përmes praktikës që më vonë synojmë ta rrisim numrin tentojmë që të rinjve tu japim një praktik e cila përveç që është punë nënkupton dhe trajnim”, tha ai.

Ministri Abrashi ka folur edhe për programin e punësimit në Gjermani, duke thënë se për herë të parë kosovarët kanë mundësi të punojnë në Gjermani legalisht.

“Tani në shkurt janë hapat e parë. Janë mbi 1 milion vende pune të hapura në Gjermani dhe ne si Kosovë kemi kuotën deri në 5 mijë vetë për periudhën deri më 2020. Kjo është një mundësi e mirë posaçërisht për bizneset kosovare që janë atje, ata hapin konkurs atje për veprimtari të ndryshme hoteli, ndërtimtari e të tjera dhe për dy jave ditë nuk lajmërohet askush, atëherë ata me atë letër që atje nuk kas të interesuar, mund t’u ofrojnë kontratën kosovarëve këtu dhe me atë letër aplikojnë për vizë punë dhe procesi është shumë i lehtë”, tha ministri Abrashi.

Marrëveshja për punësim në Gjermani për tre muaj ka hyrë në fuqi më 1 janar të këtij vitit.