Ja si u sulmua me koktej molotovi shtëpia e kryeministrit Mustafa (Video)

122

Lidhja Demokratike e Kosovës ka ofruar mediave një video, ku shihet një person që sulmon shtëpinë e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa.

LDK në komunikatë thotë se akte të tilla kriminale ka pasur në vazhdimësi në muajt e fundit dhe se pas tyre nuk ka pas distancim të qartë nga të gjitha subjektet.

“Vlen të theksohet se gjatë këtyre muajve, është hedhur molotov mbi Policinë e Kosovës në disa protesta, është djegur një pjesë e objektit të Qeverisë së Kosovës, janë djegur makinat e familjarëve të ministrave dhe zëvendësministrave e të shefave të grupeve parlamentare të LDK-së e PDK-së, janë hedhur disa shishe molotovi mbi shtëpinë e kryeministrit Mustafa, janë dëmtuar dhjetëra zyra të LDK-së nëpër Kosovë dhe është djegur zyra e PDK-së në Deçan. Mos të harrojmë se së paku 6 çanta me 39 shishe koktej molotovi, Policia e Kosovës ka deklaruar se i ka gjetur edhe në tendat e ngritura në shesh si dhe më herët në selinë e një partie. Me qëllim që të ndihmojmë në identifikimin e këtyre personave, po i bashkëngjisim edhe videot e sulmeve me molotovë mbi shtëpinë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, që eventualisht ndokush të ndihmojë organet e rendit duke identifikuar këta persona, të cilët kanë qenë në mesin e protestuesve në demonstratën e thirrur nga opozita, e cila eskaloi në dhunë ekstreme, në natën e 26 shkurtit 2016”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

LDK thotë se sa i përket rolit të viktimës, e vërteta e hidhur është se tash e sa muaj, për përfitime krejtësisht politike, në Kosovë po viktimizohen interesat madhore të qytetarëve të Kosovës, po pengohet puna e institucioneve legale e legjitime, po dëmtohet imazhi i vendit, po vështirësohet zhvillimi ekonomik, proceset integruese evropiane, liberalizimi i vizave e plotë procese tjera.

– See more at: http://www.kosovapress.com/sq/nacionale/ja-si-u-sulmua-me-koktej-molotovi-shtepia-e-kryeministrit-mustafa-video-66828/#sthash.47Ye81OT.dpuf