Ja si ndryshon Liga e Kampionëve nga sezoni i rradhës

178

Me kalimin e ditëve shtohet bindja se Liga e Kampioneve nuk do të jetë më si ajo që kemi parë deri më tani.

Interesat e klubeve të mëdha, të cilat duan më shumë pushtet dhe para, kanë vendosur UEFA-n përballë zgjedhjes së vështirë, pasi, nga ana tjetër, ndodhen klubet më të vogla që janë dakord me formatin aktual të Ligës së Kampioneve që u duket si më “demokratik”.

Por në fund duket se do të fitojnë skuadrat e mëdha, të cilat tërhiqen më shumë nga një kampionat me sistem të mbyllur si ai që praktikohet në SHBA në “NHL” dhe “NBA”.

16 ekipe

Këtij skenari iu bashkua dje edhe ideja e hedhur nga “The Guardian”. Sipas britanikes, do të krijohen dy mini “Super League”.

“The Guardian” zbulon se 16 ekipet e mëdha do të sfidojnë 16 ekipet që do të vijnë nga turni i fundit eliminator në një fazë me eliminim direkt (pra takime vajtje-ardhje).

Ekipet që do të kalojnë për më tej do të kenë të drejtë që të jenë pjesë e njërit prej dy grupeve që do të formohen prej tetë ekipesh (dy mini “Super League”-t).

Këto dy grupe të përbëra prej tetë ekipesh do të zëvendësonin fazën aktuale të grupeve (tetë grupe me nga katër skuadra secili) të Ligës së Kampioneve.

Pra, sipas modelit të ri, Liga e Kampioneve nuk do të pranonte në fazën finale 32 formacione, por vetëm 16 të tillë.

Pikëpyetjet

Sistemi që iu referua dje “The Guardian” ka shumë paqartësi. Nuk thuhet se mbi cilat kritere do të zgjidhen 16 ekipet “e mëdha”.

Ende nuk dihet se ato do të përzgjidhen në bazë të renditjes të UEFA-s apo do të jenë 20 formacionet që do të fitojnë kampionatet respektive.

Gjithashtu nuk dihet se mbi ç’kriter do të zgjidhen 16 skuadrat e tjera që konsiderohen si “të vogla” dhe që do të marrin pjesë në atë që, për momentin, quhet faza eliminatore.

Ka dyshime edhe për atë që do të ndodhë pas fazës kur dy grupet prej tetë ekipesh do të mbyllin takimet e tyre. Nuk dihet se si do të vazhdohet më tutje.

Do të luhet direkt finalja mes dy të parave apo do të ketë gjysmëfinale mes katër të parave?

Sistemi amerikan

Grupet me nga tetë ekipe do të humbnin interesin e publikut, pasi pas 6-7 takimesh disa skuadra do të dilnin jashtë çdo objektivi.

Ky është një risk i madh për sistemin e ri që, nëse do t’i referohet NBA-së amerikane do të përbëhet prej vetëm një grupi ekipesh. Në këtë pikë mbetet për t’u caktuar se mbi ç’kritere do të zgjidhen “të privilegjuarat”.

/Panorama Sport/