Ja sa para do të fitojë Tirana nga shitja e Muçit

336

Ernest Muçi dhe Legia Warshavës është punë e mbaruar. Në mesditën e djeshme klubi Tirana ndau rrugët me 19-vjeçarin, ndërsa vetë Ernest Muçi u shfaq në Warshavë te stadiumi i Legias për të hedhur firmën në kontratën me klubin e tij të ri.

Në një video të postuar nga vetë klubi, Muçi prezantohej tifozëve, duke i përshëndetur, ndërsa po dje ka kryer testet mjekësore duke i kaluar, ndërsa firma dhe prezantimi zyrtar është formalitet që duhet kryen ndoshta që sot. “Përshëndetje tifozë, unë jam Ernesti dhe kam lajme të mira për ju”, dëgjohet Muçi në videon e postuar nga Legia.

“Panorama Sport”, ka raportuar se Tirana ka mbyllur operacionin me një shumë totale 650 mijë euro. Bardheblutë do të marrin në dorë rreth 500 mijë euro, ndërsa pagesat do të bëhen në dy pjesë.

Po kështu, Tirana do të mbajë një pjesë të kartonit, dhjetë për qind. Shuma rreth 150 mijë euro është e përbërë nga bonuse të ndryshëm, si golat në kampionat dhe Europë, aktivizimet por edhe kualifikimi i Legias në Europa League.