Ja për kë bën tifo babi i vëllezërve Xhaka

115

Dy djemtë për të cilët dha gjithçka që sot të jenë këtu ku janë, do të përkujdesen për t’ia dhuruar atij sfidën më speciale në jetë.

Shqipëri-Zvicër do të jetë një duel jashtëzakonisht emocionues për Ragip Xhakën, babanë e Taulantit të Shqipërisë dhe Granitit të Zvicrës. Në një intervistë për televizionin “Tribuna Channel” në Kosovë, Ragipi tregon se çfarë rezultati dëshiron nga kjo sfidë. Ai pranon se do të bëjë tifo për Shqipërinë, ndërsa ka besim se kuqezinjtë do të kualifikohen me katër pikë të grumbulluara.

Ragipi thekson se djemtë e tij nuk kanë për të lëshuar në fushë ndaj njëritjetrit.

Deklarata

“E kam thënë edhe më parë që dëshira ime si prind nuk ka qenë që të ballafaqohet Zvicra me Shqipërinë në Europian. Megjithatë, fati sportiv kështu e deshi dhe Graniti do të përfaqësojë Zvicrën, ndërsa Taulanti Kombëtaren e Shqipërisë. Besoj se më i miri do të fitojë atë takim.

Tolerimi?

Nuk flitet për diçka të tillë, ata luajnë të dy në mesfushë dhe do të mendojnë për të bërë më të mirën në këtë përballje si kundërshtarë. Atë dëshirojnë të shkojnë sa më lart dhe fillimisht duan të kualifikohen. Për mua si prind është emocionuese, sepse jam shqiptar dhe natyrisht dua Kombëtaren kuqezi.

Nuk mund të mohoj Shqipërinë, pa marrë parasysh këtu se ku jetojmë. Dua që ndeshja të mbyllet në barazim. Megjithatë, Shqipëria ka gjasa të mira të kualifikohet, edhe për shkak se Zvicra është një skuadër e fortë dhe ka për t’i mundur kundërshtarët e tjerë të kuqezinjve. Unë mendoj se Shqipëria do të arrijë një fitore dhe një barazim në grup, duke u kualifikuar për më tej”, është shprehur fillimisht Ragip Xhaka. Në fund ai foli edhe për të ardhmen e Granitit.

“Shumë gjëra janë të vërteta për një kalim në Angli. Luan në një skuadër që klubet e mëdha në Europë e kanë në fokus. Gjëra konkrete për momentin nuk ka, por interesi është i madh. Se ku do të shkojë, nuk di ta them tashmë. Shpresoj të bëhet më e mira dhe të luajë për një klub të madh”, përfundoi babai i Taulantit të Shqipërisë dhe Granitit të Zvicrës. Më 11 qershor do të luajnë kundër njëri-tjetrit, edhe pse kanë një kombësi. Graniti është titullar i padiskutueshëm te Zvicra, ndërsa Taulanti ka fituar gjithashtu vendin e tij në skuadrën e De Biazit.