Ja kush janë “dhelprat” që po shkruajnë historinë

144

Brenda muajit, Leicesteri mund të mos njihet vetëm si qyteti i patatinave të famshme “Walkers Crisps”, apo vendi ku prehen eshtrat e Mbretit Richard III, një nga pak monarkët që është varrosur jashtë Londrës apo Uindsorit.

brezat e djemve të kolegjit “Wyggeston School”, që pas takimit të tyre më 1884 themeluan Lestër Fos, nuk e kishin imagjinuar kurrë që krijesa e tyre do mund të vinte kurorën e Anglisë pas 132 vitesh. “Dhelprat”, emblema dhe nofka e skuadrës prej 1948-ës, sepse Lestërshajëri është i famshëm për numrin e lartë të dhelprave dhe gjuetisë së tyre, janë mësuar të ngrenë më shumë se çdo ekip tjetër bashkë me Manchester City titujt e kategorisë së dytë (7 herë), por kurrë më parë një trofe të këtij niveli.

Pronari budist – Thonë se pas çdo suksesi fshihet një mendje. Dhe skuadra më simpatike e Premier Ligës e ka të tillë bosin e saj, i cili u lodh me rekordet në kategoritë inferiore dhe vendosi të hapë thesin për të bërë të lumtur 330 mijë banorët e Leicesterit (qyteti i 10-të më i madh në Mbretërinë e Bashkuar).

Viti 1919, 12 muaj pas fundit të Luftës I Botërore, duket i largët për Lestër Fosin, i cili pushoi së ekzistuari për shkak të krizës financiare dhe klubi u riorganizua me emrin që bart sot, Lestër Siti. Rivalët e Notingem Forestit krenohen me pronarët më bujarë të Premier Ligës.

Kjo zemërgjerësi mban emrin e Vikai Srivadhanaprabhas. Qerasja me birra dhe petulla ditën e djeshme, ishte e 4- ta për 30 mijë tifozët në “King Power Stadium”. Njeriu, i cili në dhjetor 2013 shleu borxhin prej 103 milionë paundësh të klubit, nisi ta ndërtojë perandorinë “King Power” 25 vite më parë përmes një dyqani “duty-free” dhe sot ka një pasuri prej 1.5 miliardë paundësh.

Pasi skuadra u ngjit në Premier Ligë, ai e ftoi ekipin për një drekë me haviar dhe verë të shtrenjtë në një restorant në Londër. Pastaj i ofroi çdo lojtari dhe pjesëtari të stafit 1 mijë paund fisha për t’i luajtur në një klub privat aty pranë.

Në çdo kohë, lojtarët mund të udhëtojnë jashtë pa asnjë shpenzim. Komoditeti i tyre nuk është “business class”, por “royal class”, atje ku çdo pasagjer ka një kabinë personale, një krevat dhe një stjuardesë në dispozicion.

Njeriu, që i çuditi të gjithë në 2014-ën kur ftoi murgjit budistë për të bekuar fushën përpara një ndeshjeje me United, është bërë një mik i vjetër i monarkisë britanike përmes bamirësive dhe javët e tij kalojnë shpesh nën shoqërinë e princit Charls në fushat e golfit.

Dhe nëse të gjithë kanë ngelur gojëhapur nga përralla që po shkruan Ranieri dhe banda e tij, Vikai nuk është aspak i surprizuar nga ky sukses: “Plani im është ta ngjis Leicesteri brenda 3 vitesh në top 3”, thoshte në maj 2014. Askush nuk e besonte…