Istogu “shpërthen” në akuza ndaj Tahirit

Gjyqtari kryesor i ndeshjes Istogu – Hajvalia (1:3), Fatmir Tahiri mori shumë kritika nga vendasit, të cilët e akuzuan atë se qëllimisht i dëmtoi.

Sipas drejtuesve të klubit, ky gjyqtar ka kritere “ekstra” kur bëhet fjalë për Istogun, e që janë në dëm të tyre.

Ata kanë përmendur dy raste kur Tahiri ka vepruar ndryshe edhe pse situatat kanë qenë të ngjashme.

“Në vitin 2012 në ndeshjen për Kupë të zhvilluar në Istog ndërmjet skuadrës me të njëjtin emër dhe Prishtinës (0:1), në minutën 30 te rezultati 0:0, portieri vendas, Valmir Hajrizaj kishte bërë ndërhyrje të palejuar jashtë zonës së rrezikimit, por që ndërhyrja ishte shumë afër vijës anësore, e që topi po shkonte drejt vijës fundore. Ndërkohë, gjyqtari Tahiri e pati ndëshkuar direkt me karton të kuq portierin Hajrizaj.

Ndërsa, tash në vitin në 2016, në ndeshjen Istogu – Hajvalia, nga e njëjta situatë, portieri mysafir mori vetëm karton të verdhë. Në minutën 15 të këtij dueli, portieri i Hajvalisë, Petrit Tahiri shkakton ndërhyrje të palejuar jashtë zonës si lojtar i fundit, por edhe në këtë rast ndërhyrja ishte anash portës, por pavarësisht kësaj, gjyqtari Tahiri vendosi që ta ndëshkojë Tahirin vetëm me karton të verdhë”, thuhet në njoftimin e Istogut.

Sipas asaj që thuhet nga drejtuesit e Istogut, Fatmir Tahiri në dy raste pothuajse 95 për qind të njëjta, merr dy vendime krejtësisht ndryshe, që janë në dëm të tyre.