Ish-ylli i Juventusit dhe City-t i ofrohet Partizanit

Partizani kreu një merkato të zgjeruar në verë, ku për sulmin afroi 3 alternativa, por ata nuk “shkrepën” në 17 javët e para.

Kështu që drejtuesit e kuq janë vënë në lëvizje që në janar të gjejnë bomberin e shumëpritur.

Sipas “Panorama Sport”, merkatoja e dimrit mund të shoqërohet edhe me ndonjë “bombë”, nisur edhe nga kërkesat apo ofertat që kanë kampionët në këtë periudhë.

Ish-ylli i kombëtares bullgare, por edhe sulmues i disa skuadrave me emër në Europë, si Juventus, Fiorentina, Parma apo Manchester City, i është ofruar Partizanit për janarin.

Afrimi i sulmuesit nuk përbën pengesë, pasi Bozhinov ka dalë lojtar i lirë që në dhjetorin e 2019-ës.

Lojtari, i cili më 15 shkurt mbush 34 vjeç, u është ofruar drejtuesve të kuq, pasi Partizani ka vënë në lëvizje të gjithë mekanizmat e tij për të gjetur një bomber.

Për gati një dekadë Bozhinov ka pasur një karrierë të shkëlqyer në Itali që nisi nga Leçe, për të vijuar te Fiorentina, Juventus, por me kalimin te Manchester City në Angli nisi edhe periudha me luhatje.

Në vitet e fundit karriera e sulmuesit të kombëtares bullgare ka ardhur në zbritje, ku në 6 muajt e fundit nuk arriti të shënonte asnjë gol si pjesë e Botev Vratsa në Bullgari.

Afrimi i Valeri Bozhinovit, nisur nga fama e sulmuesit, mund të ishte një “bast” për Partizanin, i cili nëse kryen këtë lëvizje, duhet të largojë dikë nga faza ofensive, jo vetëm për të liruar vend, por edhe për të zbutur faturën financiare.

Sulmuesit e kuq janë më të paguarit te Partizani, ku vetëm Brajan Braun përfiton rreth 8-9 mijë dollarë amerikanë në muaj.

Me rrogën e xhamajkanit mund të bindet edhe Bozhinov, nëse Partizani pranon ofertën.