Ish sulmuesi i Kosovës tërhiqet para kohe nga futbolli, synon të bëhet menaxher

Ilir Azemi kishte shënuar pesë gola në miqësoren që Greuther Fuerthi e kishte fituar në vitin 2016 ndaj Burggarrnbachut (17:0). Ishte loja e parë e tij pas aksidentit të rëndë të pësuar me veturë në vitin 2014. Ishte edhe paraqitje e shpresës se do të ishte i aftë për të luajtur sikurse në të shkuarën kur kërkohej edhe nga skuadra të Bundesligës.

Por, ai kurrë nuk u kthye në atë nivel. Nuk do të kthehet asnjëherë, meqë është tërhequr nga futbolli aktiv, pasi po ndien ende dhimbje në këmbën e majtë nga aksidenti me veturë i pësuar gati shtatë vjet më parë.

“Ka një vit që jam tërhequr nga futbolli, sepse nuk mundem më as fizikisht e as mentalisht të vazhdoj. Por, shpresoj të kem fat diku tjetër”, ka thënë Azemi të dielën për KOHËN. “Këmba e majtë nuk është si para aksidentit të pësuar në vitin 2014. Kam provuar të kthehem, kam luajtur, por nuk e kisha ndjenjën e njëjtë. Këmba e majtë lodhej më shumë dhe për t’u kthyer si më herët ishte e pamundur”, është shprehur ish-sulmuesi i Kosovës.

Për Kosovën, Azemi luajti në ndeshjen kundër Haitit, më 5 mars të vitit 2014 në “Adem Jashari”. Për “Dardanët” ishte e para ndeshje pas lejes që mori nga FIFA për zhvillimin e ndeshjeve miqësore. Dhe Azemi kishte shkëlqyer.

Azemi në fakt, provoi të kthehet pas aksidentit të rëndë. Luajti në nivel më të ulët se që kishte luajtur para aksidentit. Luajti te Holstein Kiel, Nordhausen dhe së fundi te Seligenporten. Paraqitjen e fundit e pati ndaj TSG Neustrelitz.

Ai me Greuther Furthin ka luajtur edhe në Bundesligë.

Por, 28-vjeçari insiston se ka mundur të bëjë karrierë të madhe. Madje, tregon se ka pasur edhe oferta për të pasur një karrierë të madhe.

“Kam pasur oferta të mëdha para aksidentit. Ka qenë Eintracht Frankfurti, Hamburgu, Augsburgu, Bochumi, Werder Bremeni, Freiburgu. Ka pasur edhe raportime se edhe Lazio ka shprehur interesim, por nuk e di sigurt, pasi në atë kohë me këto gjëra është marrë menaxheri im”, ka deklaruar Azemi.

Azemi kishte pësuar aksident të rëndë duke e goditur një furgon. Ai pati mbetur gjatë i ngujuar në veturën e tij dhe nga lëndimet e marra, kthimi i tij në fushë ishte në dyshim. Por, ai përfundimisht nuk do të kthehet në fushë, por jashtë saj pret të ketë sukses të madh – si menaxher futbolli.

“Jam duke parë mundësinë që të angazhohem si trajner apo menaxher i lojtarëve. Ende nuk kam vendosur, por jam duke i menduar të gjitha opsionet. Kam luajtur vet dhe nuk i kam shkëputur kontaktet. Mendoj se e kam aftësinë për të zbuluar talentet, pra kam nuhatje të mirë. Do të ishte një eksperiencë e mirë për mua, ngase unë jam mësuar vetëm me futboll, nuk di ndonjë punë tjetër, sepse qysh në moshën 18-vjeçare kam arritur të bëhem lojtar profesionit. Tani jam i pjekur dhe mendojë se në këtë drejtim mund të arrijë shumë. Njoh njerëz të futbollit dhe ndoshta do të më hapet një rrugë tjetër për të arritur lart. Ka qenë periudhë e rëndë, por nuk bën të ankohemi, ka edhe më keq, ndonëse jam prekur nga njerëzit që i kam vlerësuar të afërt kurse tani jam i harruar nga ata. Megjithatë, mua nuk më mungon asgjë, jam i lumtur me jetën time. Jam i rilindur dhe tani po shikoj para”, ka thënë Azemi.

Azemi në total në karrierën e tij ka luajtur 213 ndeshje. Ai ka shënuar 62 gola dhe ka asistuar 18 herë.

Azemi thotë se e ka siguruar jetën. Me kursimet e tij gjatë kohës si lojtar profesionist ka blerë banesa në Gjermani, ku jeton, si dhe në Prishtinë.

“Kam 5-6 vjet karrierë dhe i kam punët mirë. Po merrem me banesa tash, pra pas aksidentit kam blerë banesa për ta siguruar jetën që nëse nuk mund të luaj më, ta kem të siguruar jetën. Kam blerë banesa në Gjermani dhe Prishtinë. Por, kjo nuk më kënaq. Unë e dua futbollin. Futbolli është gjithçka për mua dhe shpresoj që atë që nuk kam mundur ta përjetoj vet, t’i ndihmoj si menaxher lojtarët e rinj”, ka thënë Azemi.