Ish-lojtari i Barcelonës me lavëdata për Marash Kumbullën

Marash Kumbulla ka qenë kryefjala sa i përket merkatos së transferimeve, ndërsa interesime për të ka pasur nga shumë emra të njohur të arenës europiane.

Megjithëse është vetëm sezoni i parë në Serie A, mbrojtësi shqiptar i ka bindur të gjithë me lojën dhe aftësitë e tij. “Calciohellas.it” ka zhvilluar një intervistë me sulmuesin koreano jugor, Lee Seung woo, ku në bisedë u lakua edhe emri i futbollistit shqiptar.

Lojtari korean ka qenë në akademinë e Barcelonës, prej 2017-s u bë pjesë e Veronës, ndërsa tashmë po ndjek karrierën e tij në Belgjikë.

Pyetjes nëse ishte i befasuar nga Kumbulla këtë sezon, Lee i është përgjigjur me po dhe se ndihet i lumtur për atë që mbrojtësi kuqezi po jep në fushën e lojës.

“Shumë i befasuar! Kam parë që ai gjithmonë luan dhe gjithashtu ka shënuar. Jam i lumtur për të. Më vjen shumë keq që ai nuk luajti vitin e kaluar për shkak të një dëmtimi. Kumbulla po shkon shumë mirë me Juric. Shpresoj që të vazhdojë kështu”, ka thënë sulmuesi Lee për Marash Kumbullën.