Një ditë më parë bëhej fjalë për ndjekje të vazhdueshme të situatës së lojtarit nga drejtuesit e Interit, kurse dje u raportua se Inter ka arritur një para-akord me PAOK-un për shërbimet e Ergys Kaçes në përfundim të këtij sezoni.
Kjo është ajo që ka raportuar “fcinternews.it”. Një lajm i madh për mesfushorin e Kombëtares shqiptare, e ardhmja e të cilit do të jetë në një nga ekipet me emër në futbollin italian.
Siç vijon faqja me informacione të përditësuara pranë skuadrës zikaltër, drejtuesit e Interit kanë arritur që të gjejnë dakordësinë e palës greke për të siguruar shërbimet e shqiptarit në përfundim të sezonit.
Zhvillimet – Vetëm disa ditë më parë, Kaçe u bë pjesë e një kompanie menaxhimi lojtarësh, pikërisht ajo që ka edhe portierin e Bajernit, Nanuel Nojeri.
Përfaqësuesit ligjorë të futbollistit kanë pasur kontakte të vazhdueshme ditët e fundit me drejtuesit e klubit në rrugën “Vitorio Emanuele” në Milano, si dhe me vetë trajnerin Roberto Mançini, i cili e mori në konsideratë afrimin e shqiptarit edhe në ditët e fundit të merkatos së transferimeve.
Detajet – Presidenti i PAOKut ka kërkuar të paktën 3.5 milionë euro për kartonin e Kaçes, ndërkohë që para-akordi është arritur për më pak se 3 milionë. Bëhet fjalë për një marrëveshje që do të mund të përfundojë dhe finalizohet në merkaton e ardhshme, ndërkohë që gjatë kësaj periudhe Kaçe do të jetë nën vëzhgimin e rreptë të zikaltërve.
Trajneri – Si të mos mjaftonte fakti që nuk e aktivizon në kampionatin grek apo edhe në ndeshjet e Kupës, Igor Tudor i bën antireklamë Kaçes me deklaratat e tij. Në një prononcim të shkurtër për “tuttomercatoweb”, trajneri i PAOK-ut ka deklaruar:
“Një lojtar që është pjesë e Kombëtares së Shqipërisë. Vrapon shumë dhe ka kualitet e gjunjë të fortë, megjithatë i mungon forca”, është shprehur Tudor. Pavarësisht kësaj, drejtuesit zikaltër mbeten të vendosur që të mund ta ndjekin me kujdes mesfushorin 23-vjeçar. /Panorama/