Iniesta 17 vjeçar i Kosovës, shumë shpejt te seniorët e Trepçës’89

Futbolli i Kosovës të ardhmen e ka të ndritur, pasi në vazhdimësi shkollat e futbollit janë duke prodhuar talente.

I tillë është edhe rasti i Çlirim Lepajës, që shumë shpejt pritet të bëhet pjesë e ekipit të parë në KF Trepça ’89 dhe e Përfaqësues së Kosovës U19. Futbollisti 17-vjeçar ka thënë për “Epokën e re” se të ardhmen e sheh vetëm në futbollin evropian.

Futbollisti Çlirim Lepaja me talentin që ka dhe me paraqitjet që po bën me skuadrën e Trepçës ’89 mund të vlerësohet si “Iniesta” i futbollit të Kosovës. Çlirimi nga lojtarët vendorë e pëlqen ish-lojtarin e Trepçës ’89, Florent Hasanin, kurse nga lojtarët ndërkombëtarë e pëlqen Andreas Iniesten. Djaloshi nga Prishtina i ka rënë në sy ekipit të gazetës “Epoka e re” në grumbullimin që kishte në Përfaqësuesen e Kosovës U19 gjatë javës së kaluar. Gazeta e ka kontaktuar të dielën futbollistin në fjalë, i cili ka treguar se si i lindi dashuria që të merret me futboll.

“Lojën e futbollit e kam adhuruar që nga fëmijëria. Çdo ditë luaja me fëmijët e lagjes, më pas u aktivizova në skuadrën e 2 Korrikut. Që nga atëherë për asnjë moment nuk iu kam ndarë kësaj loje. Angazhimin në 2 Korrik e kam bërë në moshën pesëvjeçare. Fillimisht trajner ka qenë Rufki Ballazhi, më pas kam punuar me trajnerët Mustaf Pronaj dhe Besim Ademi”, ka treguar Lepaja, i cili, pas e ka fituar një përvojë në këtë skuadër, ka rënë në sytë e trajnerëve të Trepçës ’89 të cilët ishin këmbëngulës që ai t’i bashkohet klubit nga Mitrovica. “Në skuadrën e 2 Korrikut kam qëndruar rreth gjatë vjet. Kam pasur kontakte me skuadrën e Trepçës ’89 dhe ka qenë këmbëngulëse për kalimin tim aty dhe më ofruan kushte më të mira”, ka shtuar ai. “2 Korriku është një klub shumë i mirë. Trajnerët bëjnë punë të mirë, çka e dëshmon fakti se shumë lojtarë kanë dalë nga kjo shkollë, por edhe do të dalin edhe në vitet e ardhshme”, ka thënë Lepaja.