Iku Pogba? Juventusi “gjen” dy të tjerë te Real Madridi

213

Me largimin e bujshëm të yllit Paul Pogba te Manchester United, në Torino ka nisur puna për gjetjen e pasuesit të tij. “Zonja e Vjetër” nuk ka më një “djalosh të artë” për të përkëdhelur dhe është e detyruar të ketë një të tillë, pasi lojtarët si Sami Khedira dhe Claudio Marchisio vështirë të garantojnë lojë konstante në sezonin e ri, kryesisht nga dëmtimet. Kështu, siç shkruan e përditshmja sportive italiane “Tuttosport“, emrat e fundit të përmendur në korridoret e klubit të Juventusit janë futbollistë të Real Madridit. Bëhet fjalë për spanjollin Isco dhe për kroatin Mateo Kovacic. Interesant është fakti se të dy këta lojtarë gëzojnë edhe interesin e Milanit.

Isco
Natyrisht, alternativa e parë është Isco, për të cilin presidenti Florentino Perez do të ishte gati të dëgjonte ndonjë ofertë të mirë. Nëse magjistari i mesfushës nuk mund të blihet në shifrat që Juventusi i lejon vetes, atëherë do të punohet për rikthimin e Kovacicit në Serie A. Ndërkohë, emra të tjerë në listën e klubit bardhezi janë Dimitry Payet (West Ham), Samir Nasri (Manchester City) dhe Oscar (Chelsea), por trajneri Massimiliano Allegri po u bën shumë presion drejtuesve që juventini i ardhshëm duhet të jetë vetëm Isco. Me të, skuadra kampione e Italisë do të formonte një mesfushë të frikshme dhe jashtëzakonisht krijuese, të denjë për Ligën e Kampionëve.