I fundit me meshkuj, i pari me femra

Klubi i Hajvalisë është për studim, derisa tifozët herë përjetojnë gëzime e herë dëshprime.

Arsye për këtë janë ekipi i meshkujve dhe ai i femrave. Përderisa meshkujt e Hajvalisë janë në vendin e fundit në Superligë, vashat e këtij klubi kanë dalë kampione vjeshtore.
Ndërsa, si meshkujt, ashtu edhe femrat kanë një trajner.

Ai është Emin Bajrami. Ky i fundit ka udhëhequr vashat me shumë sukses dhe nga nëntë ndeshje ka po aq fitore, duke u shpallur kampion vjeshtor me 27 pikë, gjashtë me shumë se Intelektualet nga Gjilani dhe Mitrovica që renditen në vend të dytë, përkatësisht të tretë.

Ndërsa, me ekipin e meshkujve është i fundit me vetëm shtatë pikë dhe i dorëzuar për mbetje në elitë, shkruan Gazeta Sheshi.

“Sa i përket klubit të femrave çdo gjë është në rregull që prej ditës së parë. Kushtet janë jashtëzakonisht të mira dhe nuk kanë pasur vonesa me paga. Nuk kemi asnjë pretendent, sepse ekipi im është me gjashtë pikë plus dhe kemi orarin e mirë në pranverë, kështu që nuk e shoh të rrezikuar pozitën e parë”, ka deklaruar Bajrami.

Ndërkaq, Hajvalia te meshkujt është në fund, por jo me fajin e Bajramit, pasi ai e ka marrë drejtimin e ekipit në vetëm tri ndeshjet e fundit, dy prej të cilave po i luan me juniorë.

Sipas tij, ekipi i meshkujve është dorëzuar në luftë për mbijetesë dhe me këta djelmosha do të punojë në një periudhë afatgjate në mënyrë që edicionin e ri të kërkojë sërish rikthimin në Superliga nga Liga e Parë.