Hoxhaj: Shpifjet e Vetëvendosjes janë fashizëm politik

92

Ish-ministri i jashtëm, Enver Hoxhaj ka reaguar ashpër ndaj akuzave të lëvizjes Vetëvendosjes, te cilat i ka quajtur “shpifje dhe fashizëm politik”. Madje Hoxhaj, ka ofruar edhe një marrëveshje e nënshkruar mes Luksemburgut dhe Kosovës të vitit 2009, dhe jo 2011 siç pretendon Vetëvendosje.

Ky është reagimi i plotë i Hoxhajt për mediet:

Në funksion të përgjegjësisë publike ndaj qytetarëve dhe mbrojtjes së dinjitetit tim, jam i detyruar të reagoj ndaj shpifjeve qëllimkëqija që erdhën sot në adresën time nga zyrat e një partie politike, që vetëm asgjë politike nuk i ka mbetur.

E pavërteta e parë është viti dhe përmbajtja e marrëveshjes që i referohen. Marrëveshja “Programi i mbështetjes së shëndetësisë në Kosovë, me shifrën KSV /014” është nënshkruar në vitin 2009, nga ish ministri i atëhershëm i shëndetësisë dhe dekretuar nga ish Presidenti. Kjo nuk ka të bëjë asgjë as me mua as me mandatin tim si ministër i Jashtëm. (Për hir të transparencës, gjeni të bashkangjitur marrëveshjen origjinale).

E pavërteta dytë, vjen nga fakti që lëvizja Vetëvendosje e ndërlidh emrin tim si ministër i punëve të Jashtme me marrëveshje të nënshkruara nga Ministria e Shëndetësisë, për çka edhe në vetë reagimin e tyre përmendet “marrëveshja e tetorit 2012 e nënshkruar nga Ministria e Shëndetësisë”.

E pavërteta e tretë është ndërlidhja tendencioze që i bëjnë emrit të Ymer Shahinit me aktivitetin tim publik e politik për një marrëveshje të cilën as që e kam nënshkruar. Me një të lexuar në internet, e mëson se PRINTEC është kompani ndërkombëtare, dhe personi i lartpërmendur asnjëherë nuk ka qenë pronar apo aksionar i të njëjtës.

Ndjej keqardhje që për qëllime të ulëta politike përmendet emri i një shteti mik, Mbretëria e Luksemburgut që e ka ndihmuar dhe vazhdon ta ndihmoj Kosovën në të gjitha drejtimet.

Konferenca e sotme për shtyp, gjuha e tyre dhe qëllimet nuk janë asgjë tjetër vecse një fashizëm politik, i cili në mungesë të fakteve e ideve përpiqen të njollosin dinjitetin e gjithësecilit kundërshtar politik.

dekretidekreti1dekreti2dekreti3 dekreti 4dekreti 5dekreti6