Historike në Kombëtare: Trajner i huaj dhe dy basketbollistë amerikanë

81

Në 70-vjetorin e krijimit të saj, Federata Shqiptare e Basketbollit realizon hapa historikë. I pari është emërimi i një trajneri të huaj. Bëhet fjalë për Antonis Constantinides nga Qipro. Tekniku aktual i Sigal Prishtinës u prezantua nga presidenti i FSHB-së, Avni Ponari, transmeton Super Sport.

“Për herë të parë nënshkruajmë një marrëveshje me një trajner të huaj që vjen në Shqipëri. Është diçka e veçantë dhe në interes të basketbollit, pasi Constantinides vjen nga Qipro dhe ka shumë përvojë. Trajnerimi i këtij viti nuk do të jetë vetëm për Kombëtaren, por edhe për rritjen e nivelit të trajnerëve”.

Trajneri i ri i përfaqësueses së basketbollit u shpreh gati dhe i motivuar për detyrën e re.

“Pikë së pari dëshiroj të falënderoj federatën shqiptare të basketbollit dhe veçanërisht presidentin Ponari. Jam i lumtur nga besimi që më është dhënë për të marrë drejtimin e Kombëtares shqiptare. Kemi një mision të vështirë në kualifikueset e Eurobasket. Për mua është një sfidë e madhe dhe për këtë arsye nuk do të jap 100 për qind, por 1000 për qind. Do të vëzhgojmë lojtarët shqiptarë që luajnë jashtë vendit, por edhe në kampionat, ashtu si do të vëzhgojmë edhe basketbollistë në kolegjet amerikane”.

Pikërisht me kolegjet amerikane lidhet edhe hapi tjetër historik në basketbollin shqiptar, ku federata synon afrimin e dy lojtarëve amerikanë në ekip, për të rritur nivelin e skuadrës dhe arritjen e sukseseve në rikthimin pas afro tre vjetësh në arenën ndërkombëtare.

“Objektivi është që të natyralizojmë dy lojtarë amerikanë, ashtu siç kanë bërë shumë përfaqësuese në mbarë botën, madje edhe Maqedonia në rajonin tonë. Aktualisht kemi katër-pesë kandidatë që po vëzhgohen”.

Në konferencën e prezantimit të trajnerit Constantinides, u konfirmua edhe tërheqja nga Kombëtarja e yllit të skuadrës, Ermal Kuqo. 36-vjeçari që në 2010-ën braktisi përfaqësuesen turke për Shqipërinë, ka mbrojtur ngjyrat kuqezi deri në vitin 2014.