Heshtin kur dështojnë, madje edhe para ndeshjeve të rëndësishme

1374

“Më vjen keq, klubi na ka ndaluar prononcimet për medie”, kjo është fraza që ndëgjojmë nga shumë futbollistë të disa klubeve të Superligës, që ua thonë gazetarëve kur ata tentojnë të marrin ndonjë prononcim para ndeshjeve, si dhe për çështje të tjera.

Te klubet kosovare ka filluar të shfaqet një dukuri, e cila po ua ndalon lojtarëve të flasin për medie para ndeshjeve dhe jo vetëm.

Një gjë e tillë po ndodh zakonisht kur skuadrat nuk po kanë rezultate pozitive. Klubi që së fundmi ua ka bërë “bllok” medieve sa u përket prononcimeve të futbollistëve është Drita, kampione aktuale.

Valon Zymberi, drejtor sportiv te Drita e Gjilanit, i ka thënë “Zërit” se kjo ndodh për shkak se para ndeshjeve të mëdha është mirë që përqendrimi të mos jetë në intervista dhe deklarata, pasi, sicë thotë ai, disa duele po tensionohen për shkak të këtyre deklaratave për medie.

“Kjo në shumicën e rasteve praktikohet në gjithë botën. Nuk është vetëm tek ne. Por çfarë të bëjmë që ne jemi në zhvillim e sipër dhe nuk kemi mbërritur akoma në atë nivel që duhet të jetë zëdhënësi i klubit dhe nuk duhet të flasë asnjë lojtar. Kjo është e para. E dyta është se kur kemi lojë të rëndësishme po mundohemi që të mos përqendrohet vëmendja tek intervistat dhe deklaratat, sepse shumica e portaleve po u japin kahje tjetër deklaratave dhe pastaj po ka nxitje. Pikërisht për këtë në disa ndeshje të rëndësishme e kemi menduar që më e mira është që lojtarët të mos prononcohen. Për shkak se ata thonë diçka tjetër, portalet e ndryshojnë, pastaj po ka reagime, po ka keqkuptime. Në njëfarë mënyre po tensionohen ndeshjet pa pasur nevojë. Kjo është arsyeja e vetme. Por Drita gradualisht në një të ardhme të afërt mendon të mos i lejojë asnjëherë lojtarët të japin deklarata pa u konsultuar me zëdhënësin ose me dikë tjetër të klubit”, ka thënë Valon Zymberi.

Ndërsa, Ismet Munishin ka potencuar se në raste të caktuara mund të ndodhë të mos flitet për medie, megjithatë Munishi ka shtuar se deklaratat kanë të bëjnë edhe me promovimin e futbollit.

“Unë mendoj se duhet të respektohen mediet. Duhet të respektohen edhe tifozët, sepse lojtarët dhe gjithë akterët shprehin mendimet e tyre dhe tifozët janë ata që lexojnë dhe marrin informacione. Gazetarët janë ata që e përmbushin punën e tyre. Unë jam dakord që para ndonjë ndeshjeje të rëndësishme të mos flitet për media, por jo gjatë gjithë kampionatit, sepse nuk ka kuptim. Secili duhet ta shprehë mendimin e vet, ambiciet e veta dhe deklaratat në futboll kanë të bëjnë me promovimin e gjithçkaje që ndodh rreth futbollit. Normalisht se është obligim ndaj gazetarëve dhe është obligim ndaj tifozëve dhe gjithë atyre që e ndjekin futbollin”, deklaroi Munishi

Kurse, Enis Fetahu ka potencuar se është gabim t’u ndalohen lojtarëve prononcimet në medie

Ish-futbollisti i njohur kosovar, Enis Fetahu, ka folur në lidhje me këtë dukuri, duke theksuar se është gabim t’u ndalohen futbollistëve prononcimet, pasi mediet janë ato që e pasqyrojnë futbollin.

“Unë mendoj se është gabim t’u ndalohen lojtarëve prononcimet në medie, pasi mediet e pasqyrojnë futbollin. Duhet që klubet dhe futbollistët të jenë sa më të hapur me mediumet”, theksoi ish-sulmuesi Enis Fetahu.

Kujtojmë se përveç FC Prishtinës, që para çdo takimi i publikon në faqen zyrtare deklaratat e futbollistëve para ndeshjeve, klubet e tjera kosovare nuk janë të kujdesshme në këtë aspekt.