Haxhimusa flet për gjendjen e mjerueshme me të cilën po përballet Ferizaj: FFK-ja po flet për rregullimin e stadiumit, por ne jemi duke u shuar

812

Ferizajt ka njoftuar se për shkak të gjendjes së rëndë financiare që e ka kapluar klubin, janë të detyruar që ndeshjet e radhës të mos i zhvillojnë fare dhe të largohen nga garat.

Klubi me traditë 98-vjeçare i ka bërë thirrje kryetarit të komunës, Agim Aliu, t’u del në ndihmë pasi që klubi shumë shpejtë mund të shuhet tërësisht për shkak të gjendjes së rëndë në të cilën ndodhen.

“Zeri.info” e ka kontaktuar me drejtorin e klubit “bardhekaltër”, Nadir Haxhimusa, i cili është shprehur i dëshpëruar nga gjendja në të cilën ndodhet klubi.

Haxhimusa ka treguar se kanë katër-pesë muaj që nuk kanë marrë paga pasi që aksionarët anglezë që kanë shumicën e aksioneve në klub, nuk kanë kontakte dhe nuk e vizitojnë asnjëherë klubin teksa ka potencuar se edhe aksionarët kosovarë që kanë 49 për qind të aksioneve nuk vijnë dhe tashmë stafi dhe lojtarët kanë mbetur “jetim”.

“Nuk e kemi asnjë njeri që na mbështet. Ne jemi vetëm staf, ne nuk mundemi askund të ndikojmë që të kërkojmë ndihmë. Ne punën tonë e kryejmë, stërvitjet e gjërat tjera. Kemi mungesë të rrogave. Janë katër apo pesë muaj që nuk kemi marrë paga. Neve nuk vjen askush për të na parë gjendjen. Anglezët kanë 51 për qind të aksioneve, mirëpo ata nuk vijnë kurrë. Nuk kemi kurrfarë kontakti me ta. Aksionarët tjerë që i kanë 49 për qind edhe ata i kanë problemet e tyre kurse tash ne nuk kemi as kryetar as sponsor e asgjë”, u shpreh Haxhimusa.

Gjatë ditës së martë, krerët e Federatës së Futbollit të Kosovës kishin vizituar kryetarin e komunës së Ferizajt, Agim Aliun dhe drejtorin e infrastrukturës së kësaj komune, Arbër Bytyqin.

Gjatë këtij takimi u bisedua për zhvillimin e futbollit në këtë komunë, me theks të veçantë në përmasimin e infrastrukturës në stadium.

Haxhimusa tha se stadiumi mund të rregullohet, por ky nuk është problemi i klubit.

Ai theksoi se ata tashmë janë në dorën e Zotit dhe se ndeshjet në Ligën e Parë ka mundësi që mos t’i zhvillojnë.

“Federata ka qenë për rregullimin e stadiumit, por ne po flasim për gjendjen financiare e cila nuk është e mirë. Duhet theksua se borxhet që u kemi mbetur lojtarëve duhet të paguhen sepse Federata na dënon”, përfundoi Nadir Haxhimusa.