Haxhihamza më 1 gusht bëhet zyrtarisht i Ballkanit!

Kenan Haxhihamza do të jetë vetëm njëri nga shumë përforcimet që priten të zbarkojnë te Klubi Futbollistik “Ballkani”. ‘Gardiani’ nga Rahoveci do të ‘firmos’ kontratë me ‘portokallinjtë’ ditën e shtunë më 1 gusht, teksa edhe do të prezantohet për “Xhebrailat”, raporton ekskluzivisht Gazetasheshi.com.

Haxhihamza arriti marrëveshje verbale me drejtuesit e Ballkanit ditë më parë, pas ndarjes me SC Gjilanin, klub në të cilin ishte i lidhur për katër edicione.

Përveç Haxhihamzës, ‘portokallinjtë’ do të prezantojnë edhe sulmuesin Mevlan Zeka po në këtë datë, ashtu siç raportoi ekskluzivisht Gazeta “Sheshi” kohë më parë.

Por, bëhet e ditur që këto nuk do të jenë nënshkrimet e vetme të Ballkanit, pasi që suharekasit synojnë që krahas përforcimeve të rinovojnë edhe disa nga futbollistët aktual që ndodhen në fundin e kontratës së tyre.

Ballkani do të jetë njëri ndër pretendentët kryesor edhe në edicionin e ardhshëm.

/Gazeta Sheshi/