Hashani godet rëndë Prishtinën

Trajneri i futbollit, Erdin Hashani ka thënë se nuk i pëlqen politika që po e ndjek klubi i futbollit Prishtina. Hashani në emisionin sportiv të KTV-së, Sporti Total, ka thënë se është habitur se si Prishtina e ka larguar trajnerin Armend Dallku për ta zëvendësuar me Zekirija Ramadanin.

Ai ka thënë se nuk është dashur ta largojnë, meqë sipas tij, Prishtina me Dallkun ka dalë kampione morale.

“Nëse ka qenë kampion moral, pse duhet ta heqin trajnerin. Është dashur ta mbajnë. Nuk më pëlqen politika e Prishtinës. E dyta i kërkojnë lojtarëve të t’ua falin një rrogë e gjysmë sa për informatë. Tash shkojnë e marrin lojtarin më të shtrenjtë. Lojtarët ia kanë falë një rrogë e gjysmë kryesisë, kjo ka ndodhë para se të shkojnë për në Gjibraltar. Dallkut i është kërkuar t’i bëj kampion, a thua a i kanë kërkuar edhe Ramadanit. I heq lojtarët e rinj, marrin tjerë. Ta largosh kapitenin dhe ai të shkoj te rivali për titull, kjo nuk po më pëlqen”, ka thënë Hashani.

Ramadani ka nisur punën me Prishtinë, kjo e fundit ende nuk ka zyrtarizuar ndarjen me Dallkun. Prishtina me Dallkun e fitoi Kupën e Kosovës.