Harrojeni sfidat e së premtes, duelet e së shtunës do të jenë plot zjarr!

Java e katërt në Superligën e Kosovës në futboll ka nisur këtë të premte me dy super duele. Ballkani mposhti Trepçën ’89 me rezultat të ngushtë 3-2, ndërkohë Llapi triumfoi në kryeqytet përballë Prishtinës 0-1, raporton Gazetasheshi.com.

Sipari i kësaj xhiro do të vazhdojë me dy përballje mjaft interesante ditën e shtunë.

Në Gjilan takohen dy kampionët e fundit të Superligës, Dritës dhe Feronikelit. “Bardhekaltërit” të motivuar e presin kampionin në fuqi që këtë edicion do të ketë shumë më shumë kundërshtarë drejt piadestalit.

Takimi zhvillohet në stadiumin e qytetit në Gjilan dhe fillon nga ora 16:00.

Një ndeshje tjetër interesante pritet të jetë edhe ajo ndërmjet Drenicës dhe Gjilanit. Ballafaqimet e kaluara ndërmjet këtyre dy skuadrave kanë dhuruar futboll shumë interesant dhe tejet atraktiv dhe i tillë pritet të jetë edhe ai i ditës së shtunë në “Bajram Aliu” të Skenderajt.

Edhe kjo përballje fillon nga ora 16:00.

/Gazeta Sheshi/