Haradinaj nuk zëvendësohet këtë javë

91

E zbrazët do të mbetet karrigia e Ramush Haradinajt në Kuvend, gjatë seancës për zgjedhjen e Presidentit të Shtetit. Zëvendësimi i tij nuk do të bëhet këtë javë.

Haradinaj, lider i AAK-së, la mandatin e deputetit të premten e shkuar, pas skenave me deputetët opozitarë. Kuvendi i ka kërkuar presidentes Atifete Jahjaga që ta bëjë zëvendësimin e tij, raporton Koha Ditore.

Një ditë më parë, Presidentja i ka kërkuar KQZ-së që të konfirmojë kandidatin që pason në listën e certifikuar për zgjedhjet e përgjithshme të Kuvendit të Kosovës, të vitit 2014, nga AAK-ja.
Presidentja kërkon konfirmim me shkrim, pavarësisht se në këtë listë të pritjes ndodhet Ali Berisha, i cili publikisht ka shprehur gatishmërinë për të marrë mandatin e deputetit.

KQZ-ja nuk do t’ia japë presidentes Jahjaga një përgjigje brenda kësaj jave. Burime në AAK kanë thënë ta kenë dëgjuar qëndrimin në KQZ se mbledhje nuk mund të ketë para të hënës ose të martës. Për pasojë, në seancën e së premtes nuk mund të paraqitet as Haradinaj e as Berisha.