Haradinaj: Komisioni i demarkacionit, i pranueshëm vetëm nëse është i pavarur

79

Ka reaguar lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, pas lajmeve se presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, do të formojë Komisionin për demarkacionin me Malin e Zi, duke thënë se nëse ky komision do të funksionojë nën mbikëqyrjen e Qeverisë aktuale, më mirë është të mos krijohet fare.

Ai ka thënë se ekspertët që do të jenë pjesë e këtij komisioni do të jenë të pranueshëm vetëm nëse janë të pavarur nga Qeveria e Kosovës.

Kjo pasi sipas Haradinajt, kjo Qeveri nuk ka legjitimitet për një demarkacion kredibil.

Haradinaj, përmes Facebook-ut ka shkruar se Qeveria aktuale është shkaktare e problemit, kështu që nuk mund të jetë edhe zgjidhje e tij.

Gjeni të plotë reagimin e Haradinajt më poshtë:

“Për Komisionin e Demarkacionit

Nëse Komisioni për Demarkacionin, i inicuar nga Presidentja Jahjaga, është menduar të jetë një komision që do të funksionojë nën mbikqyrjen e Qeverisë aktuale, më mirë të mos krijohet fare, sepse kjo Qeveri nuk ka legjitimitet për një demarkacion kredibil.

Ajo është shkaktare e problemit dhe nuk mund të jetë pjesë e zgjidhjes së tij.

Prej që opozita e ka ngritur çështjen e demarkacionit, Qeveria kurrë ska bërë përpjekje që ta gjejë të vërtetën, por e ka fshehur atë.

Për më tepër Qeveria e Kosovës ka lobuar te vendet mike, edhe duke i dezinformuar ato, se versioni i “Komisionit Meha” është i sakt dhe njëkohësishtë ka investuar shumë që ky version i caktimit të kufirit, pvarësisht kundërshtimeve të bazuara, të ketë sukses!

Qeveria aktuale ka dëshmuar në vazhdimesi se është në gjendje të bëjë gjithçka që versioni i saj i kufirit të mos dështojë, duke e humbur përfundimisht kredibilitetin për zgjidhjen e kësaj çështjeje.

Prandaj çfarëdo grupi ekspertësh, mund të jetë i pranueshëm vetëm nëse është krejtësisht i pavarur dhe nëse mbikqyrjen e punës së tij, do ta bëjë një qeveri e re që do të dalë pas zgjedhjeve”.