Hajvalia përmbys Istogun

167

Hajvalia ka regjistruar një fitore mjaft të mundimshme përballë Istogut në udhëtim, mirëpo shumë të vlefshme në luftën për titullin kampion. Të besuarit e Ismet Munishit, ia kanë dalur të përmbysnin “troftat” edhe ashtu të përmbytur nga reshjet e shiut, për të hapur garën për titull, transmeton Gazeta Sheshi.

Në fakt vendasit e nisin më mirë duelin, derisa realizojnë pas 30 minutave lojë, përmes sulmuesit të ri Fatlum Gashi, që realizon një supergol nga largësia.

Me epërsinë minimale të vendasve, skuadrat shkojnë në dhomat e zhveshjes, derisa në fraksionin e dytë miqtë dalin me një tjetër fytyre.

Pas shumë tentimeve për të gjetur golin e barazimit, udhëtuesit ia dalin më në fund. Kapiteni Liridon Leci gjendet më së miri në zonë pas harkimit të Genc Hamitit, duke e zhytur topn drejt rrjetës, për ta barazuar rezultatin.

Ndërkohë, miqtë nuk u deshtë të presin shumë për të gjetur golin e epërsisë, derisa braziliani i ardhur në merkaton e janarit Da Silva shtyn topin drejt rrjetës, pas harkimit nga Hamiti.

Goditjen finale vendave ia jep sërish Liridon Leci që realizon pesë minuta para fundit.

Mbyllet ndeshja me Hajvalinë që merr fitoren e rradhës për tu pozicionuar në vendin e dytë me 34 pikë, një më pak se Feronikeli kurse Istogu mbetet e fundit me 15 pikë.

/Gazeta Sheshi/