Hajvalia aranzhon ndeshje miqësore me këtë skuadër kampione

219

Klubi i futbollit të vashave të Hajvalisë, arrit të shkruajë histori në futbollin kosovar, duke u bërë skuadra e parë e cila do të marrë pjesë në arenat ndërkombëtare, saktësisht në kualifikimet për Champions Ligë.

Ekipi i vashave po aranzhon miqësore në mënyrë që të përgatitet sa më shumë, para nisjes për në Qipro, vend në të cilin do t’i zhvillojë kualifikimet për Ligë të Kampioneve.

Në fakt nesër, vashat e këtij ekipi do ta zhvillojnë një takim kontrollues me ekipin kampion të Shqipërisë, Vllazninë e Shkodrës. Në fakt, ky takim do të jetë sprova e fundit para udhëtimit për në Qipro. Trajneri i kësaj skuadra, Emin Bajrami thotë se këto ndeshje miqësore po shërbejnë pozitivisht në kompletimin e skuadrës.

“Këto ndeshje po ndikojnë shumë pozitivisht sidomos për komponimin e ekipit dhe njëkohësisht për të parë formën sportive të lojtareve në mënyrë individuale e po ashtu edhe si kolektiv. Kështu po përgatitemi që të lëmë gjurmë edhe në Evropë”, ka thënë Bajrami, për Teleskopi.net.

Historike është që futbolli shqiptar do të përfaqësohet në UEFA Women’s Champions League me dy skuadra kampione, KFF Vllaznia e Shqipërisë dhe KFF Hajvalia e Kosovës do ta përfaqësojnë futbollin mbarë shqiptar të femrave në Champions Ligë.