Grevë e protesta mund ta presin rektorin e ri të UP-së

79

Menjëherë pas emërimit të rektorit dhe prorektorëve, Universiteti i Prishtinës mund të futet në grevë nga punëtorët e administratës por edhe stafi akademik pasi që edhe pas premtimeve, UP ende nuk u ka bashkuar pagën bazë me atë shtesë punëtorëve administrativ si dhe nuk e ka nënshkruar kontratën kolektive.

Një paralajmërim të tillë e ka bërë Sindikata e Universitetit, Shkencës dhe Kulturës (SUSHK), duke thënë se të gjithë punëtorët janë të gatshëm ta bojkotojnë punën nëse nuk realizohen kërkesat e tyre.

Bardh Bardhi, kryetar i SUSHK-ut, tha për KosovaPress se për një veprim të tillë është paralajmëruar edhe menaxhmenti i UP-së.

“Ne presim gjersa të funksionalizohet KD i ri dhe derisa të zgjidhet rektori i ri, komplet me menaxhmentin e ri, dhe ne kemi bërë parashtresa edhe këtë vit, më 2 shkurt 2016. Ju kemi drejtuar KD-së aktual dhe ju kemi drejtuar ish rektorit dhe sekretarit të përgjithshëm që nëse nuk realizohen kërkesat tona ne shumë shpejt do ta anulojmë pezullimin e grevës dhe do ta riaktivizojmë grevën e përgjithshëm në nivel të universitetit, duke e marrë pajtimin edhe të SBASHK-ut sepse ne jemi anëtarë të tyre”, ka thënë ai.

Por, Bardhi ka thënë se problemi nuk qëndron vetëm tek punëtorët e administratës, por edhe tek stafi akademik, pasi që ata janë të vetmit punëtorë arsimorë që ende nuk e kanë nënshkruar kontratën kolektive, në bazë të së cilës duhet t’iu paguhen tri paga suplementare me rastin e pensionimit apo edhe 0,5 për qind e pagës për çdo vjet të shërbimit.

Për problemet e zyrtarëve universitarë është në dijeni edhe kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj.

Ai i tha KosovaPress-it se problemin kryesorë e kanë me punëtorët e administratës.

Edhe Jasharaj tha se një ndër arsyet se pse mund të rifillohet greva është mospagesa e 0,5 për qindëshit.

Ai nuk e përjashton e as nuk e mohon mundësinë e rifillimit të grevës nga punëtorët administrativ, por edhe ata akademik, nëse kërkesat nuk përmbushen menjëherë pas marrjes së mandatit nga ana e menaxhmentit të UP-së.

“Pra në Universitet për momentin kur po flasim nuk ka as kontratë kolektive të nënshkruar dhe ne supozojmë dhe mendojmë se pikërisht në mungesë të kësaj kontrate ku do të zgjidheshin të gjitha çështjet në universitet kemi edhe ngatërresa, kemi edhe telashe. Nga biseda me kryesinë e SUSHK-ut edhe me kryetarin, Bardh Bardhi, ata më kanë alarmuar dhe kam frikë se pas rregullimit të çështjes me rektorin në Universitetin e Prishtinës, nuk do të shkoj java e në universitet do të ketë prapë greva, unë kam biseduar me ta dhe kam kërkuar që ta pezullojnë grevën e kaluar, tash këta ndihen shumë keq sepse janë të vetëdijshëm se në veprimet e tyre sindikale më së shumti dënohen apo ndëshkohen vet studentët e jo stafi akademik apo edhe udhëheqësija e universitetit, që për momentin del se i ka të gjitha fajet”, tha Jasharaj.

Nga ana tjetër, i kontaktuar nga KosovaPress, Sekretari i Përgjithshëm i UP-së, Esat Kelmendi ka thënë se pa u zgjedhur menaxhmenti nuk mund të thotë asgjë sa i përket kësaj çështjeje.

Përndryshe, punonjësit e administratës së Universitetit të Prishtinës kishin mbajtur grevë me përkrahjen e SBASHK-ut dy vite më parë me kërkesat e njëjta, bashkimin e pagës bazë me atë shtesë, pagesën e 0,5 përqindëshit si dhe kontratën kolektive.

Kjo grevë ishte pezulluar pas premtimit të menaxhmentit të UP-së se këto kërkesa do të plotësohen.

Deri më tani, këto kërkesa nuk janë realizuar ende. /KosovaPress/