Globi bën tifozllëk për Ranierin: Unë, përjetë te Leicesteri

86

Kryesojnë renditjen me +7 pikë nga Tottenhemi, kur kanë mbetur 5 javë nga fundi i Premier Ligës dhe vetëm 24 orë nga ndeshje me West Ham United.

“Sindroma” Leiçester ka përfshirë këdo, të gjithë globin, sepse ndryshe nuk shpjegohet prania e 70 gazetarëve në konferencën e djeshme të Klaudio Ranierit, të cilët vinin nga çdo cep i botës: Italia, Japonia, Australia, Danimarka, Spanja, Kina, Tailanda, SHBA dhe jo vetëm.

“Jam i përqendruar vetëm te ndeshja me West Ham. Dua një skuadër grintoze, që të tregojë një karakter të fortë, edhe sikur gjërat të shkojnë keq. Ky sport të detyron të luftosh, sepse futbolli është shumë i çuditshëm. Hapi i sigurt i radhës për ne është pjesëmarrja në Ligën e Kampioneve. Më pëlqen himni i këtij kompeticioni, por mbi të gjitha më pëlqen kjo skuadër, tek e cila do të doja të mbyllja karrierën time, nëse pronari është dakord, normalisht. Do të qëndroja përjetë këtu. Nervoz përpara West Ham?

Absolutisht jo. Nuk kemi arsye pse të kemi. Duhet të luajmë siç kemi bërë deri tani, duke buzëqeshur në fushë, çfarëdo gjëje që të ndodhë. Tashmë mbijetesën e kemi siguruar dhe sido që të shkojë, mrekullinë e kemi bërë gjithsesi.