Gjyqtari i Superligës komplekson futbollistët, kjo është koha e vrapimit të tij (FOTO)

Shumë futbollistë të Ipko Superligës por edhe të rangjeve tjera të futbollit kosovar po e shfrytëzojnë këtë kohë pandemie duke vrapuar në kushte të ndryshme. Shumë prej tyre publikojnë në rrjetet sociale disa prej vrapimeve me rezultate të mira.

Por, nuk janë vetëm futbollistët që nuk po i ndalin stërvitjet. Edhe gjyqtarët po e bëjnë të njëjtën gjë. Madje, njëri prej tyre me përgatitjen fizike dhe rezultatet e vrapimit mund t’i kompleksojë edhe futbollistët.

Pas vrapimit prej 35 kilometrave, gjyqtari i Superligës, Alban Shala ka arritur një tjetër rezultat vrapimi që rrallë kush nga bota e futbollit në vend mund ta sfidojë, shkruan Gazetasheshi.com.

Shala ka arritur t’i vrapojë 10 kilometra për 41 minuta e 47 sekonda në parkun e Taukbahçes në Prishtinë.

Gjyqtari nga Prishtina njihet për përgatitjen e tij fizike dhe përkushtimin ndaj këtij sporti. Ai disa herë është dëshmuar si më i përgatituri në testet zyrtare të FFK-së.