Gjyqtarët kosovarë nuk udhëtuan në Kazakistan shkaku mjegullës, UEFA delegoi një serb për të gjykuar

Gjyqtari ndërkombëtar nga Kosova, Visar Kastrati ishte caktuar në ndeshjen e ndërkombëtare të UEFA-së për kualifikimet e Kampionatit Evropian U21 ndërmjet Kazakistanit dhe Ishujve Faroe. Kjo ndeshje u zhvillua në stadiumin “Kazhimukan Munaytpasov” në Shymkent – me ç’rast fituan mysafirët me rezultatin 2-3.

Ishte parashikuar që Visar Kastrati të asistohet nga Edmond Zeqiri dhe Besnik Morina dhe nga gjyqtari i katërt Burim Jahmurataj, madje të gjithë ishin testuar dhe kishin rezultuar negativ me Covid-19. Megjithatë, si për ironi të fatit gjyqtarët kosovar mbetën në aeroportin e “Adem Jasharit” pasi që nuk arritën të fluturonin shkaku i mjegullës së madhe, mëson Gazetasheshi.com.

Megjithë përpjekjet për të mbërritur në kohë, për shkak të motit ishte e pamundur të fluturohej fillimisht drejt Stambollit dhe me këtë rast gjyqtarët kosovar u detyruan të ktheheshin në shtëpi.

UEFA delegoi gjyqtarin serb, Lazar Lukic, për ta gjykuar sfidën, ndërkohë asistentët ishin lokal nga Kazakistani, duke u bërë kështu një precendet i pazakontë që gjyqtarët vendas të gjykojnë një ndeshje të shtetit të tyre.

Sidoqoftë ndeshja u zhvillua me Ishujt Faraoe që triumfuan në udhëtim me rezultat 2-3. /Gazeta Sheshi/