Gjyqi në CAS, ka shpresë për Skënderbeun

Rikthehet shpresa për Skënderbeun. Burime pranë klubit korçar bëjnë me dije se është ngjallur optimizmi si kurrë më parë për një përgjigje pozitive nga CAS, shkruan Panorama Sport.

Po, pikërisht kështu: Skënderbeu mund të dalë i pafajshëm dhe të rrëzohet dënimi me 10 vite i UEFA-s si dhe 1 milion euro gjobë.

Hapat e fundit

Ka sinjale të forta nga studioja ligjore që ka marrë përsipër çështjen e bardhekuqve në CAS. Nuk bëhet fjalë as për reduktim të dënimit dhe as për ndonjë “modifikim” të tijin, por për rrëzimin e plotë të çështjes. Ardjan Takaj ka zgjedhur studion më të njohur ligjore në shtetin zviceran, “De PFYFER”, e cila drejtohet nga avokati Jean Cedric Michel. Ky i fundit do të merret enkas me dosjen “Skënderbeu”.Grupi i punës që është angazhuar me këtë çështje, në kontaktet e fundit që ka pasur me palën shqiptare, u ka folur me doza optimizmi të larta. Kjo ka ringjallur shpresat në kampin korçar, por Takaj ka preferuar të ruajë qetësinë dhe të mos rrëmbehet nga euforia. Natyrisht, edhe vetë presidenti i Skënderbeut ka pritshmëri, por ai do të presë vendimin që pritet të merret në muajin prill.

Pse ka shpresë?

Studio ligjore që ka kontraktuar Skënderbeu pretendon se ka arritur të vërtetojë se nuk ka asnjë provë konkrete që Skënderbeu ka trukuar ndeshje.